Fantazma - vëlla i një kinezi

  • 20 July 2019 - 09:05
Fantazma - vëlla i një kinezi

Një kinez në periferi të Shangajit ka përjetuar një befasi të frikshme, por në fund të këndshme. Ji Singquan ishte në shtrat, të mërkurën e kaluar, duke u munduar të flinte. Por, papritmas atë e kapi një valë e ftohtësisë. U ngrit, meqë mendoi se e kishte lënë dritaren hapur. Por, kur u ngrit në këmbë, u rrëzua menjëherë përtokë nga frika. Në dhomën e tij gjendej një fantazmë. Një hije njeriu, që ngjante shumë me të.

I dukej sikur ishte duke e shikuar veten në pasqyrë. Pasi që e mori paksa veten nga frika, Ji vërejti se fantazma donte t'i thoshte diçka, por sikur nuk mundte. Kur ia vuri veshin, e tëra që dëgjoi nga fantazma, ishte fjala "vëlla", derisa fantazma bënte me gisht herë nga vetja, e herë nga njeriu.

Ji mbeti i shtangur, meqë nuk dinte çka donte të thoshte fantazma, e cila më pas menjëherë u zhduk. Kur të nesërmen ai vizitoi të ëmën, me të cilën ndante çdo sekret, i tregoi për atë që kishte përjetuar dhe pa se nënës iu mbushën sytë me lot.

Kur e pyeti pse qante, e ëma i tregoi se ishte e vërtetë që ai kishte lindur binjak me një vëlla, por për shkak të frikës nga autoritetet, të cilat lejonin vetëm një fëmijë, ata ia kishin dhuruar vëllain tjetër një familjeje të panjohur. Prej asaj kohe më nuk kishin ditur asgjë për të. Kinezi Singquan tani është në kërkim të vëllait të tij binjak, duke shpresuar se atë do ta gjejë megjithatë të gjallë.

(Kosova Sot Online)