Gjendet nëndetësja franceze që ishte zhdukur në vitin 1968

  • 22 July 2019 - 13:52
Gjendet nëndetësja franceze që ishte zhdukur në vitin 1968

Një nëndetëse franceze, e cila ishte zhdukur për më shumë se pesëdhjetë vjet, është gjetur nga një ekip kërkimi.

Ministrja franceze e mbrojtjes, Florence Parly, e bëri të ditur këtë lajm të hënën përmes një postimi në Twitter, duke e përshkruar këtë gjetje si lehtësim dhe arritje të konsiderueshme teknike.

Pesëdhjetë e dy marinarë ndodheshin brenda kësaj nëndetëseje kur u zhduk afër portit të Toulon-it, në bregdetin jugor të Francës, në janar të vitit 1968.

Të gjitha përpjekjet e mëparshme për ta gjetur këtë nëndetëse kishin dalë të pasuksesshme.

“Sapo e kemi gjetur nëndetësen Minevra. Është një sukses, lehtësim dhe arritje e madhe teknike. E kam mendjen të familjet që kanë pritur aq gjatë për këtë moment”, shkroi ministrja në Twitter.

Ekipi i ri kërkues raportohet se i rianalizoi të dhënat e aksidentit për ta gjetur nëndetësen me ndihmën e teknologjisë më të avancuar. 

Gjetja e nëndetëses u bë përmes një barke që është në pronësinë e një kompanie amerikane.

Arsyeja e saktë e zhdukjes së kësaj nëndetëseje asnjëherë nuk është bërë e ditur.

Aksidenti me këtë nëndetëse ishte vetëm njëra nga fatkeqësitë e shumta me nëndetëset ushtarake në mbarë botën në vitet e gjashtëdhjeta, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)