Komunikimi me të ardhmen vërtetohet të jetë praktikisht i mundshëm

  • 22 July 2019 - 15:15
Komunikimi me të ardhmen vërtetohet të jetë praktikisht i mundshëm

Robert Nemiroff dhe Teresa Wilson nga Universiteti Teknologjik i Miçiganit kanë bërë një studim përmes të cilit kanë pretenduar ta zbulojnë faktin nëse njerëzit të cilët do të jetojnë në të ardhmen kanë komunikuar me njerëzit bashkëkohorë. Ata besojnë që një gjë e tillë veçse ka ndodhur, pra ne jemi vizituar nga njerëzit që do të jetojnë në të ardhmen, pasi që, siç thonë ata, njerëzit që do të jetojnë në të ardhmen e afërt do të jenë të pajisur shumë mirë teknologjikisht gjë që do t’ua lehtësojë punën atyre për të udhëtuar në kohë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 Teoria e Einstein-it

Ajo që deri më tani nuk ka mundur as të imagjinohet, tani na del të jetë një e vërtetë shkencore, dhe, pasi që është shumë e komplikuar, ne do të mundohemi ta thjeshtojmë për ju. Për të ndodhur një gjë e tillë, na nevojitet një shpejtësi më e madhe sesa ajo e dritës (“superluminal”), të cilën Einstein-i e kishte konsideruar si të pamundshme, ndonëse fillimisht e kishte nxjerrë vet si teori. Ai, pasi që kishte dalë publikisht me këtë ide, kishte thënë që është e pamundur, pasi që kishte rënë ndesh me teorinë e tij të mëhershme ku thuhet që drita ka shpejtësinë më të madhe në univers dhe se nuk ka asnjë gjë tjetër që mund të udhëtojë më shpejtë. Komunikimi në kohë shkel edhe një ligj tjetër, ligjin e shkakut, i cili thotë që në mënyrë që një proces të ndodh, para atij procesi duhet të ketë një qëllim dhe arsye. Për shembull, në mënyrë që ne të jemi dëshmitarë të thyerjes së një gote me qumësht, ne fillimisht duhet ta marrim një gotë, ta mbushim me qumësht dhe më pas ta rrëzojmë në dysheme, nëse dëshirojmë që ta shohim me sy këtë proces. Pra, ekziston një lloj harmonie në mes të ndodhjes së veprimeve, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Shembulli i elektroneve

Mirëpo, të gjitha fenomenet paranormale ndodhin duke i shkelur këto ligje. Historikisht është bërë e ditur që fenomenet e tilla injorojnë ligjet më të mëdha të fizikës, andaj ne mund të konsiderojmë që edhe komunikimi apo udhëtimi në kohë është njëri prej këtyre fenomeneve. Shkencëtarët që janë marrë me këtë hulumtim e kanë bazuar studimin e tyre në fizikën kuantike, e cila thotë që elektronet e një atomi janë të lidhura me njëra tjetrën, dhe derisa njëra rrotullohet në drejtim të akrepave të orës, tjetra do të bëj të kundërtën. Elektronet do të vazhdojnë të jenë të lidhura me njëri-tjetrin edhe nëse ndahen dhe largohen, duke përcjellë trendin e njëjtë të rrotullimit. Ky trend vazhdon të jetë i njëjtë edhe nëse njëri elektron largohet me kilometra larg tjetrit, ndërsa, shkencëtarët kanë thënë që nuk është vetëm distanca ajo që nuk mund t’i ndajë elektronet, mirëpo as koha, duke pretenduar që elektronet e të njëjtit atom do të vazhdojnë të sillen në drejtim të kundërt edhe nëse janë të ndara nga distanca kohore, gjë kjo që e bën pretendimin e tyre të jetë shumë më i arsyeshëm sesa që mund të mendohet nga titulli. 

(Kosova Sot Online)