Ëndërrimi i së ardhmes (1)

  • 13 August 2019 - 15:02
Ëndërrimi i së ardhmes  (1)

Ëndrrat vazhdojnë që të jenë një mister. Ato i kanë fascinuar filozofët me mijëra vjet, por vetëm tash vonë ka pasur një studim shkencor të tyre

Derisa janë propozuar shumë teori rreth shpjegimit të ëndrrave, asnjë prej tyre nuk është pranuar nga të gjithë. Megjithatë, ne e dimë se nuk janë të gjitha ëndrrat njësoj. Disa prej tyre janë argëtuese, disa të tmerrshme. Disa kanë një ngjarje që qartë, sikur ndonjë film në TV, derisa të tjerat janë të paqarta dhe shkaktojnë konfuzion. Disa ëndrra janë të kota dhe mashtruese, derisa të tjerat janë të qarta dhe të paharrueshme. Disa nga ëndrrat duken si të pakuptimta, derisa të tjerat duket se janë tepër të thella dhe bartin një mesazh të rëndësishëm për jetën tonë.  

Kur ëndrra nuk është vetëm ëndërr?

Përpos atyre që thamë, duket se ka edhe ëndrra që e parashikojnë të ardhmen. Në vitin 2001, në një revistë ëndrrash, një lexuese ankohej për një ëndërr shqetësuese, të cilën e kishte rreth të vëllait të saj, i cili jetonte 1 500 milje larg saj, në Vermont. "Në ëndrrën time, vëllai ishte në shtëpinë e shokut të tij. Ata kishin peshkuar tërë ditën në një vrimë që e kishin hapur në akull. Ishte duke u bërë vonë, prandaj ai u nis për t’u kthyer në shtëpi. Rreth 35 milje larg shtëpisë së shokut të tij, në rrugë ishte një kthesë e madhe. Derisa ai i afrohej asaj kthese, frerët i dështuan. Ai e humbi kontrollin mbi veturën, ku kjo e fundit ra poshtë në humnerë, duke u rrotulluar disa herë, para se të ndalej me kulm teposhtë. E tëra që mund të shihja ishte gjaku".

Ëndrra e shndërruar në realitet

Gruaja u zgjua nga gjumi e përlotur. Menjëherë, sapo u bë sabah, ajo i telefonoi vëllait, por pa sukses. Ai nuk e çonte telefonin. Kur ajo i telefonoi motrës, ajo ia dha lajmin nga i cili ajo frikësohej. "Vëllai im me të vërtetë kishte pësuar aksident trafiku. Ai kishte ndodhur rreth orës 11 të mbrëmjes së kaluar. Ai ishte rrugës për në shtëpi, duke u kthyer nga shtëpia e shokut, ku e kishte humbur kontrollin ndaj kamionit të tij gjatë tentimit që ta bënte një kthesë. Frerët i kishin dështuar. Ajo që ishte më së shumti tronditëse kur shikoje fotot e aksidentit, ishte se çdo gjë ishte njësoj sikur ëndrra”.

Si mund të shpjegohet një gjë e tillë? Skeptikët thonë se ëndrrat e këtilla janë shembuj të “paragjykimeve realizuese” . Ne të gjithë shohim shumë ëndrra, ku shumica e atyre ëndrrave kanë tematikë të pakuptimtë, kështu që shpejt i harrojmë ato. Por, ne i mbajmë mend ato ëndrra të cilat shndërrohen në realitet. Kjo mund të jetë e drejtë për shumë raste, por a duket me vend për ato ëndrra ku, më pas, çdo detaj i ëndrrave ishte realizuar me përpikshmërinë më të madhe.

Ka pasur shumë raste të ëndrrave profetike, apo parashikuese, të përjetuara dhe të dokumentuara nga njerëz të famshëm.

(Vazhdon nesër me disa nga shembujt më­ të famshëm të ëndrrave profetike, duke filluar me Abraham Linkolnin e të tjerë)

 (Kosova Sot Online)