Zbulimet e mëdha, të bëra në bazë të ëndrrave

  • 22 August 2019 - 15:19
Zbulimet e mëdha, të bëra në bazë të ëndrrave

Edhe pse duken se janë bërë rastësisht, zbulimet e mëdha zakonisht janë fryt i një pune të gjatë dhe të lodhshme. Por, disa nga to janë bërë edhe – në gjumë

Makina e qepjes

Në vitet 1840, Elias Howe ka zbuluar makinën e parë të qepjes, por ai ishte munduar shumë në lidhje me dizajnin e gjilpërës. Një natë, ai pa ëndërr sikur e kishin rrëmbyer kanibalët, të cilët i kishin thënë se, nëse nuk do ta dizajnonte gjilpërën e makinës së qepjes, ata do ta vrisnin. Në ëndërr, ai shikoi shtizat e kanibalëve, me ç’rast vërejti se në majë, ato kishin një vrimë të vogël. Ai u zgjua i bindur se, po ta bënte një vrimë në majë të gjilpërës, makina e qepjes do të funksiononte. Dhe, kështu në vitin 1845 lindi makina e parë e qepjes, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Struktura molekulare e benzenit

Friedrich August Kekule von Stradonitz zbuloi strukturën molekulare të benzenit derisa ishte duke parë ëndërr. Me vite të tëra shkencëtarët ishin munduar ta zbulonin këtë strukturë, por më kot. Por, derisa ishte duke fjetur gjatë një pasdite, Stradonitz pa ëndërr se ishte rrethuar nga gjarpërinjtë të cilët hanin bishtat e tyre, duke marrë kështu formë gjashtëkëndore. Ai u zgjua nga gjumi duke bërtitur “aha”. Ai kuptoi se kjo ishte struktura e molekulës të cilën e kërkonte.

Teoria e relativitetit e Einstein-it

Albert Einstein ishte gjithmonë mbështetës i madh i kreativitetit, duke thënë se “imagjinata është më e rëndësishme se dituria”. Ndoshta ai thoshte kështu meqë kishte parë në ëndërr teorinë e relativitetit derisa ishte adoleshent. Në këtë ëndërr, ai kishte parë një bujk duke kyçur një rrethojë elektrike afër një tufe me lopë dhe të gjitha lopët duket se kërcyen prapa  në të njëjtën kohë, të frikësuara. Kur ai i tregoi fshatarit çka kishte parë, fshatari, i cili qëndronte në anën e kundërt të fushës, tha se kishte parë diçka tjetër: lopët kishin kërcyer prapa një nga një. Mesazhi ishte i qartë: ngjarjet duken ndryshe, varësisht nga pozita e personit. Dhe, kështu lindi baza për teorinë e relativitetit, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Terminatori i James Cameron-it

Regjisori James Cameron tregon sesi koncepti i filmave “Terminator” i kishte ardhur në ëndërr, derisa kishte ethe të forta. Derisa ishte në Romë, duke punuar në një film, ai kishte temperaturë të lartë. Kur ra në gjumë, ai pa ëndërr një robot të ndarë përgjysmë, të armatosur me thikë të kuzhinës, duke u zvarritur kah një grup i femrave të frikësuara. Dhe, meqë ai vazhdimisht kishte dashur ta bënte një film të aksionit, kështu lindën filmat shumë fitimprurës rreth robotëve të frikshëm.

(Kosova Sot Online)