Britanikja zgjohet nga koma dhe flet në theks të huaj

  • 24 August 2019 - 10:03
Britanikja zgjohet nga koma dhe flet në theks të huaj

Kath Lockett vuan nga një sëmundje shumë e rrallë, e cila njihet si sindroma e theksit të huaj. Çka do të bënit nëse do të zgjoheshit në mëngjes dhe do ta kuptonit që theksi juaj është ndryshuar? Para tetë vitesh, nëna e dy fëmijëve ishte dërguar në spital, pasi që një goditje në tru e kishte lënë atë pa mundësi për të folur. Megjithatë, nuk kishte shkuar shumë kohë dhe zëri i ishte kthyer, mirëpo për habinë e të gjithëve, theksi i saj kishte ndryshuar tej mase dhe ajo tani fliste në theksa të ndryshëm evropianë. “Ndihem sikur dikush të kishte vjedhur diçka nga unë – tani unë jam italiane, lituane, ruse ose polake, theksi im ndryshon shumë shpesh”, ka thënë ajo.

Deri më tani rastet e tilla kanë qenë aq të rralla, saqë doktorët kanë thënë që e kanë pothuajse të pamundur që ta identifikojnë shkakun, apo edhe të gjejnë ndonjë ilaç për shërimin e kësaj sëmundje. “Nuk është se dimë shumë gjëra për sindromën e theksit të huaj, pasi që ka shumë pak njerëz që vuajnë nga ajo”, ka thënë profesori Rosemary Varley, i cili njëherësh është marrë me Kath-in gjatë kohës që ajo ka qenë në spital.

(Kosova Sot Online)