Kur të vret i vdekuri!

  • 02 September 2019 - 15:23
Kur të vret i vdekuri!

Në Londër ishte gjetur trupi i pajetë i një gruaje. Në bazë të analizave të ADN-së ishte zbuluar autorja e krimit. Por, ekzistonte vetëm një problem i vogël. Vrasësja kishte javë të tëra që kishte vdekur 

Ishte një mister i jetës reale, i tillë që do të mund të kishte dalë nga faqet e ndonjë romani kriminalistik. Gjatë fundit të viteve 1970, ideja e mundësisë së identifikimit të ndokujt nga vetëm disa pika të imëta të gjakut, dukej tërësisht fantastike-shkencore. Një femër ishte vrarë brutalisht në Londër dhe nën thonjtë e saj ishte gjetur material biologjik, gjë që linte të nënkuptohej se ajo mund ta kishte gërvishtur vrasësin e saj para se të vdiste. Kur ishte analizuar ai material, në bazë të ADNsë, kur ADN-ja ishte krahasuar me të dhënat kombëtare, menjëherë ishte zbuluar vrasësi, respektivisht “pronari” i ADN-së së gjetur. Por, menjëherë lindi një problem. Vrasësja vetë ishte vrarë tri javë para viktimës së saj. Vrasjet kishin ndodhur në vende të ndryshme të kryeqytetit dhe hetoheshin nga ekipe të ndryshme të detektivëve.

Gratë kurrë nuk e kishin takuar njëra-tjetrën Derisa nuk kishte asnjë shenjë të lidhjes midis dy grave dhe kur nuk ekzistonte asnjë dëshmi që ato të ishin takuar ndonjëherë, skenari më i mundshëm ishte se mostrat ishin përzier, apo kontaminuar në laboratorin e forenzikës. Për këtë shkak, u caktua një zyrtar i lartë që ta sqaronte këtë kaos. Ishte viti 1997 dhe detyra e zyrtarit ishte ta zbulonte gabimin që ishte bërë në laborator. Dyshimi i parë ishte të kujt ishin thonjtë, nga ku ishte marrë ADNja. U pa se thonjtë i takonin me të vërtetë viktimës së dytë. Më pas u kontrolluan të gjitha shënimet e laboratorit, për të parë a ishte bërë ndonjë gabim i paqëllimtë.

Çdo gjë doli të ishte në rregull. I përkushtuar që ta sqaronte misterin deri në fund, zyrtari hetues vendosi që të analizonte mënyrën sesi ishin marrë mostrat. Ai zbuloi se të dy kufomave iu ishte bërë autopsia në të njëjtin morg, edhe pse kishin arritur në kohë të ndryshme. Autopsitë që bëhen te rastet e vrasjeve, janë shumë më të detajuara sesa autopsitë “jo penale”. Zgjidhja e enigmës Shpjegimi i vetëm i mundshëm dukej që gruaja, e vrara e parë, të kishte udhëtuar në kohë, ta kishte vrarë viktimën e dytë, e më pas të ishte kthyer në kohën e vet, në të kaluarën, që të vritej vetë. Megjithatë, shpjegimi ishte më i thjeshtë: thonjtë e të dy viktimave ishin prerë me të njëjtat gërshërë, të cilat edhe pse ishin pastruar, nuk ishin pastruar sa dhe si duhej. 

(Kosova Sot Online)