Aktivitetet paranormale në hotelin ‘Del Coronado’

  • 07 September 2019 - 15:16
Aktivitetet paranormale në hotelin ‘Del Coronado’

Hoteli 'Del Coronado' në San-Diego ka qenë vend ku janë përjetuar eksperienca paranormale tash e një kohë të gjatë. Me një histori prej më shumë se 125 vitesh, nuk është për t'u habitur që kjo kryevepër viktoriane ka pasur mysafirë të ndryshëm, disa prej të cilëve kanë refuzuar të largohen nga hoteli. Kate Morgan, fantazma më e famshme e hotelit Ndonëse ka shumë tregime paranormale për hotelin, shumica e tyre janë të lidhura me Kate Morgan-in, një vajzë e bukur, e cila ishte futur në hotel në vitin 1892 për të mos dalë më kurrë. Pasi që kishte kaluar pesë ditë vetëm, duke e pritur një burrë që nuk kishte ardhur kurrë, Kate ishte gjetur e vdekur në shkallët që dërgonin në drejtim të plazhit. Në kokën e saj gjendej plaga, e cila më vonë ishte vërtetuar që ishte shkaktuar nga vetë ajo. Sot e asaj dite, shpirti i Kate-t duket se nuk ka dalë fare nga dhoma ku ajo kishte qëndruar, ndonëse shumë mysafirë kanë thënë se e kanë parë atë edhe jashtë hotelit, në oborr.

Sipas Christine Donovan-it, autores dhe historianes, e cila ka shkruar një libër për fantazmën e Kate-t në hotelin e famshëm, Kate është një fantazmë relativisht e qetë, e cila, megjithëse gjendet në hotel për më shumë se 130 vjet, nuk i ka bërë asnjë të keqe askujt që është futur në hotel. Megjithatë, ka pasur shumë tregime dramatike për këtë fantazmë në hotel, njëri prej të cilëve është ai i çiftit që kishte shkuar për ta kaluar muajin e mjaltit në hotelin 'Del Coronado', si dhe kishin përjetuar një sërë eksperiencash paranormale, që kishin përfunduar me shqyerjen e mbulesës së tyre në mes të natës, nga ana e një fantazme, të cilën kishin arritur ta shohin. Rastet e fundit të shfaqjes së fantazmës Njëra nga zonat më 'aktive' të hotelit është dyqani i dhuratave, që është krijuar në vitin 1888.

Kjo pjesë e hotelit e ka shumë të vështirë t'i mbajë orenditë pa lëvizur, pasi që një forcë e pakuptueshme i thyen dhe i përplas pothuajse të gjitha gjërat që gjenden brenda. Në disa raste, mysafirët, të cilët kanë qenë duke blerë në dyqan, kanë thënë që e kanë parë një fantazmë duke manipuluar me objektet. Në njërin nga rastet më të reja, një vizitor ka bërë të ditur që pasi ishte zgjuar pas një ëndrre të keqe që kishe përjetuar, ai e kishte vërejtur që jastëku i tij ishte shqyer. Për më tepër, ai kishte vërejtur një fantazmë në dhomën e tij për rreth 30 sekonda, mirëpo sa hap e mbyll sytë ajo ishte zhdukur. Puplat e jastëkut të tij i kishte gjetur mbi televizor. Mysafirët, të cilëve tanimë u rrëfehet tregimi për fantazmën e Kate-t para se të futen në hotel, vihen në kontakt me autoren e librit sa herë që deklarojnë për ndonjë eksperiencë të tyre, me njërën ndër fantazmat më të popullarizuara në botë.

(Kosova Sot Online)