Dy tregime të tmerrshme rreth “Halloween”-it

  • 16 September 2019 - 15:43
Dy tregime të tmerrshme rreth “Halloween”-it

A është “Halloween”-i vetëm një festë për t’u veshur më veçantë, apo është me të vërtetë një kohë kur shpirtrat e trazuar lejohen që të shëtisin më lirshëm në mesin e të gjallëve? Ja dy storie që mund t’ju ndihmojnë në gjetjen e përgjigjes 

Vetura e fantazmës Ishte mbrëmja e “Halloween”-it e vitit 1995 kur Pamela dhe vëllai i saj ishin duke shkuar në shtëpi në një rrugë fshati afër Greenbeltit, Maryland. Derisa ishte duke u terruar, Pamela pa se vëllai i saj ishte duke vozitur rreth 50 km/h. Papritmas, ajo pa se atyre ishte duke iu afruar një automobil i zi, me dy drita të forta të përparme. Dukej se ajo veturë mundohej t’i tejkalonte.



Por, Pamela pa se vetura sikur ishte duke fluturuar, pa prekur në tokë. Ajo dhe vëllai i saj shikuan brenda veturës dhe panë se aty gjendeshin katër adoleshentë, dy djem dhe dy vajza. Dukej se ata kishin veshje të viteve 1930 apo 1940 dhe që të gjithë dukeshin të zbehtë si fantazma. Vajza që gjendej ulur përpara u kthye kah Pamela dhe vëllai i saj, iu buzëqeshi, e më pas ua ktheu shpinën. Dy të tjerët, që ishin ulur prapa, vetëm i kishin hapur sytë. Më pas vetura u ngrit lart dhe u zhduk. Kjo skenë atyre iu përsërit sërish në vitin 1997. Si duket këta adoleshentë kishin vdekur në ndonjë aksident, duke u kthyer nga festa e “Halloween”-it dhe kishin mbetur të ngujuar përgjithmonë në këtë rrugë. 

Figura me kapuç Nxënësit e shkollave të mesme, e bile edhe studentët duket se janë të dhënë pas festës së “Halloween”-it me po aq entuziazëm, sa edhe fëmijët. Kjo është një mundësi për ta që ta sfidojnë guximin e tyre dhe frikën nga e panjohura. Chris kurrë nuk do ta harrojë “Halloween”-in e vitit 1981, kur ishte duke vijuar kolegjin në qytetin e tij të lindjes. Chris bashkë me pesë, apo gjashtë shokë, kishin vendosur që ta vizitonin një varrezë të vogël afër konvikteve të tyre. Chris thotë se nuk kishte kaluar shumë kohë, kur ai kishte ndier “diçka”. Disa minuta më pas ai kishte dëgjuar kërcitjen dhe ritmin e hapave që bënin zhurmë me gjethet në tokë. Edhe disa të tjerë e dëgjuan atë zhurmë, prandaj shikuan në drejtim kah vinte zhurma. Kur nuk e panë askënd, menduan se ishte ndonjë shok i tyre, që mundohej t’i frikësonte. Ata qeshën përnjëherë, por zhurma e hapave vazhdonte. Chris shikonte me kujdes, por nuk mund të vërente asgjë. Por, papritmas, ai gjeti atë që kërkonte. “Ajo figurë kishte një formë të pacaktuar, kishte një si kapuç të zi në kokë dhe një veshje të zezë deri në fund të këmbëve”. Figura vazhdimisht e ndryshonte formën. Chris dhe shokët e tij filluan të iknin si të pa kokë. Të nesërmen ai mori vesh se edhe të tjerët e kishin parë figurën e njëjtë, por më vonë kurrë nuk folën rreth asaj ngjarjeje. 

(Kosova Sot Online)