Rrezet gama të dala nga një vrimë e zezë lëvizin pesë herë më shpejt sesa drita

  • 17 tetor 2019 - 15:14
Rrezet gama të dala nga një vrimë e zezë lëvizin pesë herë më shpejt sesa drita

Sipas ligjeve të fizikës, shpejtësia e dritës është barrierë fundamentale, që nuk mund të thyhet, pasi që asgjë nuk mund të lëvizë më shpejt se drita. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja pse disa astronomë kanë mbetur të shtangur, kur kanë vërejtur disa drita të fuqishme teksa kanë dalë nga qendra e një vrime të zezë, shumë të madhe, e që gjendet 260 milionë vite dritë larg planetit tonë. Matjet kanë treguar që kjo “vetëtimë” ka udhëtuar përgjatë horizontin, në pjesën ku asgjë nuk mund t’i shpëtojë gravitetit të vrimës së zezë, ndërsa shpejtësia e saj ka qenë dukshëm më e madhe se ajo e dritës. Pesë herë më e shpejtë se drita Përderisa kjo “vetëtimë” me rreze gama e ka përshkruar atë distancë për më pak se pesë minuta, shkencëtarët kanë vlerësuar që për ta përshkruar këtë distancë, dritës do t’i nevojiteshin rreth 25 minuta. Kjo lë të kuptohet që rrezet gama kanë qenë duke udhëtuar më shpejt se drita, përveç nëse diçka tjetër ka ndodhur.

Tani hulumtuesit besojnë që kanë fituar qasjen virtuale në diçka të çuditshme që është duke ndodhur në pjesën nën horizontin e vrimës së zezë, duke shpresuar që kjo do t’u ndihmojë atyre në zgjidhjen e këtij misteri. Objektet, të cilat gjenden në qendër të vrimave të zeza, janë misterioze për nga natyra, pasi që nuk lënë asnjë lloj drite të kalojë pa e “përbirë”, ndërsa shkencëtarët e përfshirë në hulumtim kanë thënë që teoritë e zhvilluara deri më tani nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta përshkruar dukurinë, andaj ata kanë ngelur të detyruar që të zhvillojnë një teori të re. Burimi i rrezeve “Deri më tani është menduar që asgjë nuk mund të përshkojë një distancë më shpejt se drita, mirëpo në rastin tonë janë shfaqur disa rreze gama, të cilat kanë dalë nga një vrimë e zezë që gjendet në qendër të Galaksisë “IC 310”, që kanë udhëtuar për më shumë se pesë herë më shpejtë se drita”, ka thënë Julian Sitarek, shkencëtar në Institutin Shkencor të Barcelonës, e që njëherësh është pjesë e ekipit punues të këtij projekti.

Shkencëtarët thonë që rrotullimi i vrimave të zeza shkaktojnë krijimin e një magnetosfere të ndarë, që krijon elektricitet në polet e saj. Pastaj, pasi që rrezet gama të jenë nisur nga qendra, rrotullimi i vrimës së zezë ia shton shpejtësinë rrezeve. “Në më pak se pesë minuta, drita zbrazet nga energjia që e akumulon paraprakisht, energji që akumulohet në një regjion që ka madhësinë sa të sistemit tonë diellor”, ka thënë Karl Mannheim, gjithashtu shkencëtar i përfshirë në këtë projekt. Tani, shkencëtarët kanë kthyer sytë në këtë drejtim, për t’i monitoruar lëvizjet e ardhshme, me shpresën që mund të gjejnë ndonjë fakt, që mbështet teorinë e tyre, apo ndoshta për të vërtetuar ndonjë teori tjetër. 

(Kosova Sot Online)