Shkencëtarët besojnë se e kanë zbuluar vendin më të lashtë të banuar nga njerëzit

  • 29 October 2019 - 11:44
Shkencëtarët besojnë se e kanë zbuluar vendin më të lashtë të banuar nga njerëzit

Disa shkencëtarë besojnë se një luginë pjellore e lumit në veri të Botsvanës, në Afrikën jugore, është vendi më i lashtë i banuar nga qeniet njerëzore.

Sipas këtij studimi, fiset e para të njeriut u krijuan para rreth 200 mijë vjetësh në një tokë të lagësht afër lumit Zambezi.

Bazuar në studimin e publikuar në revistën “Nature”, ky rajon ishte vendbanim i njerëzve të parë për 70 mijë vjet.

Rreth 110 deri 130 mijë vjet më parë, klima filloi të ndryshonte dhe korridoret e pëlleshme depërtuan jashtë kësaj lugine. Për herë të parë, popullsia kishte filluar të shpërndahet, duke e hapur rrugën për migrimin e njerëzve jashtë Afrikës.

Njëra nga autoret e studimit, Vanessa Hayes, profesoreshë nga Australia, tha: “Është bërë e qartë tash e një kohë se njeriu modern është shfaqur për herë të parë në Afrikë para rreth 200 mijë vjetësh”.

“Ajo për të cilën është debatuar për një kohë të gjatë është vendi i saktë i paraqitjes së paraardhësve tanë dhe shpërndarja e tyre”, shtoi ajo.

Për të arritur te këto rezultate, profesoresha dhe kolegët e saj e analizuan ADN-në e njerëzve në Namibi dhe Afrikë Jugore.

Më pas, hulumtuesit i kombinuan këto rezultate gjenetike me gjeologjinë dhe klimën e rajonit, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)