A ishte Ylli i Betlehemit fenomen paranormal?

  • 10 November 2019 - 15:10
A ishte Ylli i Betlehemit fenomen paranormal?

Kur flitet për lindjen e Krishtit, në Besëlidhjen e re përmendet Ylli i Betlehemit. Natyra e vërtetë e këtij fenomeni ka ngjallë debate të shumta dhe kontroverse. A ishte Ylli i Betlehemit fenomen paranormal, një mrekulli e cila shënonte lindjen e Mesisë? Apo ishte një fenomen natyror qiellor?

Teoritë e ndryshme

Ekzistojnë disa teori, disa logjike e disa të çmendura, të cilat mundohen që ta shpjegojnë misterin se çka ka mundur të jetë ai “yll”.

Supernova  

Supernova është një yll, i cili, duke hyrë në një fazë të re të jetës së tij, eksplodon dhe liron një sasi të madhe të dritës. Në këtë rast mund të flitej për një yll, i cili ishte tepër i zbehtë që të shihej me sy të lirë, kështu që kur shpërtheu ai iu ra në sy dhe i habiti astrologët. Astronomi britanik David H. Clark thotë se, sipas disa llogaritjeve, një eksplodim i supernovës kishte ndodhur në pranverën e vitit 5 para erës së re, në konstelacionin e Bricjapit.

Kometë

Një kometë po ashtu mund të jetë vërejtur nga astrologët. Dhe, varësisht nga trajektorja e kometës, ajo mund të jetë dukur sikur qëndronte në qiell, e palëvizur. Sipas llogarive, Kometa e Halley-t kishte kaluar nëpër qiellin tonë në vitin 12 para erës së re. (Askush nuk e di saktësisht se kur ka lindur Krishti. Edhe pse sipas kalendarit, ai duhej të ketë lindur në vitin 0, më së shumti ka gjasa që ai të ketë lindur midis viteve 2 dhe 7 para erës së re). Ia vlen të përmendet se kometat konsideroheshin lajmëtarë të ndryshimeve, por të ndryshimeve negative. Edhe astronomët kinezë përmendin se asokohe ishin parë dy objekte të jashtëzakonshme në qiell.

UFO

Janë të shumtë ata që besojnë se perënditë pagane në fakt ishin alienë, kështu që, sipas tyre, edhe Ylli i Betlehemit mund të ketë qenë ndonjë UFO, ndonjë anije kozmike jashtëtokësore. Sado e pamundur që duket kjo teori, ajo është e vetmja që ofron një shpjegim se si objekti mund të jetë paraqitur papritmas, të ketë lëvizur dhe të jetë ndalur, për ta treguar vendin e lindjes së Krishtit.

Mateu e trilloi këtë ngjarje

Është interesant se asnjëri nga tre shkruesit kanonikë të Biblës, Gjoni, Marku dhe Luka, nuk e përmendin tregimin me Yllin e Betlehemit. Këtë e bën vetëm Mateu. Prandaj, shtrohet pyetja a mund të jetë ky tregim i trilluar, me qëllim që të ligjësohej hyjnia e Krishtit?

Martin Gardner thotë se, sipas tij, tregimi rreth Yllit është një mit i qartë, sikur mitet që lidhen me lindjen e njerëzve të tjerë të dalluar të historisë, si p.sh. Qesarit, Pitagorës, Krishnës, etj.

Teoritë më të mira

Por, teoritë, të cilat sot konsiderohen si më të mundshmet, janë: bashkimi planetar (astronomi i shekullit XVII Kepler thotë se Ylli i Betlehemit mund të ketë qenë ‘bashkim’ i Jupiterit dhe Saturnit); planeti Jupiter (Dr. Mike Molnar, astrofizikan, mendon se ka dëshmi të forta se Ylli i Betlehemit të ketë qenë vetë planeti Jupiter).

(Kosova Sot Online)