Cili është qëndrimi i feve më të mëdha rreth jetës pas vdekjes?

  • 11 November 2019 - 15:12
Cili është qëndrimi i feve më të mëdha rreth jetës pas vdekjes?

Koncepti se me vdekje merr fund gjithçka, nuk është i pëlqyeshëm për asnjë njeri. Por, sipas feve më të mëdha, a ka jetë pas vdekjes?

Islamizmi

Myslimanët, sikur që e dimë, besojnë në jetën pas vdekjes, e cila do të vijë pas Ditës së Gjykimit. Atë ditë do të ngjallen të gjithë njerëzit dhe do të vlerësohen sipas veprave që kanë bërë. Me atë rast, ata do të dërgohen në xhenet, apo xhehenem. Ekziston mundësia që, pas larjes së gjynaheve, njerëzit do të mund të dalin nga xhehenemi, në xhenet. Por, edhe para Ditës së Gjykimit, njerëzit që kanë bërë mirë do të trajtohen mirë dhe do ta kenë të lehtë pritjen e Ditës së fundit, derisa ata që kanë bërë keq, do të vuajnë meqë do ta shohin vendin (xhehenemin) ku do të shkojnë.

Budizmi

Budizmi nuk e sheh vdekjen si fund të gjithçkaje, por më shumë si një fillim të një jete të re, me anë të reinkarnacionit. Se çka do të jetë një njeri në jetën e ardhshme, varet se si ka jetuar gjatë jetëve të kaluara. Pra, për budistët nuk ekziston vdekja, por vetëm një seri e jetëve, e bazuar në karmën e akumuluar, nga njëra jetë te tjetra.

Krishterimi

Njëri ndër besimet kryesore të të krishterëve është ai se, të gjithë ata që janë bërë vepra të mira gjatë jetës dhe që kanë jetuar në bazë të rregullave të Zotit, do të ngriten në Parajsë, ku çdo gjë do të jetë e përkryer. Por, ata që kanë bërë keq, do të digjen në zjarrin e ferrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Por, të krishterët e kanë edhe një variant të tretë: purgatorin. Purgatori është një vend i ndëshkimit të përkohshëm për të gjithë ata që ende nuk i kanë rrëfyer mëkatet e tyre. Më pas, ata do të kalojnë në parajsë.

Judaizmi

Judaizmi dallohet nga shumica e feve të tjera monoteiste, për atë se nuk ka një koncept të caktuar për jetën pas vdekjes. Në fakt, Tevrati nuk e përmend fare jetën pas vdekjes, duke ia lënë interpretimit personal tërë atë që ndodh në atë periudhë. Për çifutët përqendrimi më i madh është në këtë jetë. Derisa disa çifutë besojnë në xhenet, shumica prej tyre nuk besojnë në xhehenem, të paktën jo në atë mënyrën sesi besojmë ne. Por, ringjallja e të vdekurve pas ardhjes së Mesisë është një besim i përhapur në mesin e çifutëve, me kusht që të kesh qenë njeri i mirë gjatë jetës. E, ata që nuk kanë qenë të mirë, nuk do të ringjallen për të jetuar në Botën që do të vijë, e cila besohet se do të jetë e përkryer.


(Kosova Sot Online)