Cila është fuqia e mallkimeve?

  • 22 November 2019 - 15:18
Cila është fuqia e mallkimeve?

Duke qenë e kundërta e bekimit, mallkimi paraqet dëshirën e një personi që, atij të cilit i drejtohet mallkimi t'i ndodhë diçka me të vërtetë e keqe.

Kur flitet për mallkimin, pyetja e parë që shtrohet është se cila është fuqia reale e mallkimit? A është ai me të vërtetë i rrezikshëm, apo paraqet vetëm një mënyrë të shfryrjes së atij që e bën. Sikur të gjitha mallkimet të kishin efekt, atëherë bota do të ishte me të vërtetë kaotike. Por, një mallkim i bërë nga Zoti, apo në një masë shumë më të vogël edhe nga ndonjë shpirt, a magjistar, është diçka tjetër.

Thuhet se një shaman indian i Amerikës e ka mallkuar presidencën e SHBA-së që, duke filluar me luftëtarin kundër indianëve, William Henry Harrison, në vitin 1840, çdo person që do të zgjidhet në këtë post çdo 20 vjet, do të vdesë derisa ende e mban postin. Ky mallkim u tregua i vërtetë për Abraham Lincolnin (1860), Chester A. Arthurin (1880), William McKinleyn (1900), Warren G. Hardingun (1920), Franklin D. Rooseveltin (1940) dhe John F. Kennedy (1960). Ronald Reagan (1980) i iku këtij mallkimi, por thuhet se kjo nuk d.m.th. se mallkimi në fjalë është bërë i pavlefshëm. Sa iu përket njerëzve, besohet se mallkimi që realizohet, është ai i shamanëve, priftërinjve (dhe ekuivalentëve të tyre) dhe shtrigave. Mallkimi më i madh që bën Kisha katolike, është shkishërimi.

Mallkimi i shtrigave

Edhe pse në përralla dhe në folklor thuhet se shtrigat kanë qenë tepër "dorëlira" me mallkime, duke filluar nga shndërrimi i njerëzve në bretkosa, e deri te rënia e Makbethit, mbretit të Skocisë, sot shtrigat moderne (ekzistojnë me të vërtetë persona që e quajnë veten shtriga) përmbahen nga mallkimet, duke u bazuar në parimin se, çdo të keqe që ia bën ndokujt, do të kthehet tri herë më shumë. Por, jo fort moti besohej se shtrigat mund t'i dëmtonin kafshët me mallkim. Deri në shekullin e kaluar ka pasur luftë mallkimesh midis magjistarëve ceremonialë. Një shembull tipik është ai i grindjes midis Aleister Crowleyt dhe MacGregor Mathersit.

Njëri nga rezultatet e mallkimit ishte se të gjithë qentë e Crowleyt ngordhën, kurse shërbëtorët e tij u sëmurën, por Mathers kurrë nuk e mori veten nga fatkeqësia financiare, si rezultat i mallkimeve të Crowleyt. Në disa kultura, magjistarët përdorin kukulla të ndryshme, të cilat simbolizojnë njeriun të cilit duan t'i bëjnë keq. Me nguljen e gjilpërave në atë kukull, apo duke e djegur atë në tërësi, tentohet të dëmtohet personi i caktuar.

Përfundim

Ka edhe mallkime të cilat i drejtohen vetvetes. P.sh., ndonjë njeri mund të thotë nëse nuk e bëj këtë apo atë punë brenda një afati të caktuar, atëherë u bëfsha thi, apo diçka të ngjashme. Mendohet se edhe këto mallkime janë të forta dhe realizohen. Në kulturën tonë besohet se mallkimi i jetimit, si dhe i personit të dobët, të cilit i është bërë keq, gjithherë realizohet në tërësi. Në Bibël Zoti mallkon Egjiptin me dhjetë sëmundje, meqë faraoni nuk i lironte çifutët nga robëria, duke kulminuar me vdekjen e secilit fëmijë të parëlindur egjiptian.

(Kosova Sot Online)