Akulli i Grenlandës po shkrihet 7 herë më shpejt se në të nëntëdhjetat

  • 11 December 2019 - 09:07
Akulli i Grenlandës po shkrihet 7 herë më shpejt se në të nëntëdhjetat

Shtresa e akullit në Grenlandë është duke u shkrirë shumë më shpejt sesa është menduar më parë, duke i vënë në rrezik nga vërshimet miliona njerëz dhe duke sjellë efekte të pakthyeshme të ndryshimeve klimatike.

Akulli në Grenlandë është duke u shkrirë shtatë herë më shpejt se në vitet e nëntëdhjeta, ndërsa shkalla e humbjes së akullit është shumë më e lartë se parashikimet e bëra përmes studimeve ndërkombëtare.

Kjo nënkupton që niveli i detit mund të rritet për 67 centimetra deri në vitin 2100, rreth shtatë centimetra më shumë se parashikimi i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike. Kjo shkallë e rritjes do të bëjë që 400 milionë njerëz të rrezikohen nga vërshimet çdo vit, ndonëse më parë ishte parashikuar që kjo shifër të jetë 360 milionë persona.

Rritja e nivelit të detit e shton edhe rrezikun e stuhive, të cilat mund t’i dëmtojnë më shumë rajonet bregdetare. Këto ndryshime kanë gjasa t’i godasin rajonet bregdetare në tërë botën.

Grenlandës i janë shkrirë 3.8 trilionë tonë akull që nga viti 1992 dhe kjo shkallë është rritur nga 33 miliardë tonë në vit në të nëntëdhjetat në 254 miliardë tonë në vit gjatë dekadës së kaluar.

Akulli i Grenlandës ndikon drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të detit, sepse ai ndodhet mbi sipërfaqe tokësore, ndryshe nga akujt që lëvizin nëpër ujë, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)