"Ourang Medan"

  • 19 February 2020 - 09:59

Në qershor të vitit 1947, disa anije në ngushticat e Malakas, afër Sumatrës, kishin marrë një sinjal SOS, i cili përmbante edhe një mesazh ku thuhej: "Të gjithë oficerët, duke përfshirë edhe kapitenin, gjenden të shtritë, të vdekur. Me gjasë tërë ekuipazhi ka vdekur". Ky mesazh ishte pasuar nga një edhe më tragjik: "Unë po vdes". Këto mesazhe i morën dy anije tregtare amerikane, të cilat konstatuan se mesazhet kishin ardhur nga anija holandeze e mallrave, e quajtur "Ourang Medan".

Më së afërmi anijes në telashe ishte anija me emrin "Silver Star", e cila me tërë shpejtësinë e saj u nis, me shpresë se do të mund t'iu ndihmonte njerëzve në rrezik. Pasi që iu afruan anijes holandeze, amerikanët tentuan që ta venin me të ndonjë kontakt, por askush nuk reagonte. Pasi që hipën në anijen "Ourang Medan" amerikanët panë se, me të vërtetë, të gjithë kishin vdekur. Që të gjitha kufomat kishin sytë dhe gojën e hapur, sikur të kishin parë diçka tepër të tmerrshme. Pasi që amerikanët dolën nga anija fantazmë, ata deshën që ta dërgonin atë në liman, për ta analizuar më në detaje, por shumë shpejt ajo eksplodoi dhe u fundos. Kurrë nuk u dit shkaku i vdekjes së ekuipazhit të saj.

(Kosova Sot Online)