Telefonuesi, i cili parashikoi vrasjen e presidentit John F. Kennedy

  • 23 February 2020 - 15:10
Telefonuesi, i cili parashikoi vrasjen e presidentit John F. Kennedy

Më 22 nëntor të vitit 1963, pak pas orës 10:00, një operator i "General Electric" në Oxnard, Kaliforni, u përgjigj në një thirrje telefonike. Por, pasi që ai e ngriti telefonin, askush nuk fliste. Duke menduar se telefonuesi mund të ishte në siklet, operatori i tha edhe kolegut tjetër që ta dëgjonte atë thirrje. Në atë moment, thirrësi anonim tha duke pëshpëritur se presidenti do të vritej në orën 10:10. Zëri i telefonuesit ishte ai i një gruaje të moshës së mesme. Më pas ajo tha: "Drejtësia. Gjykata Supreme. Do të ketë zjarr në të gjitha dritaret. Qeveria do ta marrë flakën". Një thirrje tjetër, e bërë në orën 10:10, insistonte që presidenti do të vritej në orën 10:30. Operatorët filluan të mendonin se bëhej fjalë për ndonjë të çmendur, prandaj ia mbyllën telefonin. Kur presidenti Kennedy u vra në Dallas, ora ishte 12:30, që në Kaliforni korrespondonte me orën 10:30, mu në kohën kur telefonuesi misterioz kishte thënë se presidenti do të vritej. FBI ende konsideron se telefonuesja ishte ndonjë femër me probleme mendore. Thirrja nuk mundi të lokalizohej. Shqetësuesi i familjes Kuykendall Në shkurt të vitit 2007, celulari i 16 vjeçes, Courtney Kuykendall, nga Uashingtoni, filloi t'iu dërgonte miqve të vajzës mesazhe vetvetiu. Gjërat u përkeqësuan më shumë kur dikush filloi t'iu telefononte anëtarëve të familjes Kuykendall. Ai i kërcënonte me vdekje anëtarët e kësaj familjeje. Pasi që ata e kontaktuan policinë, hetimet çuan deri te celulari i Courtney-s, e cila edhe u bë e dyshimta kryesore. Por, thirrjet vazhduan edhe pasi që prindërit ia kishin marrë telefonin asaj.

Thirrësi anonim dinte gjithçka rreth kësaj familjeje, çka hanin, çka bënin, etj. Këto telefonata kishin vazhduar për katër muaj dhe asnjëherë nuk u gjet asnjë i dyshimtë. Kompania telefonike nuk kishte përdorë teknologjinë e avancuar për gjetjen se nga ku bëhej thirrja. Dyshimi ndaj familjes nuk u largua asnjëherë. Vrasësi serik i Long Ajlendit Në ishullin Long Ajlend ishin gjetur trupat e pajetë të 14 femrave. Që të gjitha ato ishin prostituta dhe policia beson se, të paktën dhjetë prej tyre, u vranë nga një njeri i vetëm, i njohur me nofkën "vrasësi serik i Long Ajlendit". Ky vrasës që vazhdon të jetë i panjohur ende, besohet se "aventurën" e tij vrastare e filloi në vitin 1996, edhe pse të katër kufomat e para nuk u gjetën deri në dhjetor të vitit 2010. Më pas, midis prillit dhe majit të vitit 2011 u gjetën edhe gjashtë kufoma të tjera. Që të gjitha këto femra ishin ngufatur dhe ishin mbështjellë me një thes të cohës së ashpër, para se të gjuheshin.

Në të njëjtën zonë u gjetën edhe katër kufoma të tjera, por ato nuk duket të përshtaten me vrasjet e tjera, prandaj policia mendon se ato nuk i kishte vrarë vrasësi serik në fjalë. Përpos vrasjeve, vrasësi serik e kishte torturuar në mënyrë sadiste njërën nga familjet e të vrarave. Më 10 korrik të vitit 2009 u zhduk Melissa Barthelemy, 24 vjeçe. Pak kohë më pas, motra e re e Melissa-s, Amanda, filloi të merrte telefonata nga celulari i motrës së zhdukur. Në tërësi u bënë shtatë thirrje ku asnjëra prej tyre nuk zgjati më shumë se tre minuta. Në thirrjen e fundit telefonike, njeriu që fliste pranoi se e kishte vrarë Melissa-n. Trupi i pajetë i Melissa-s u gjet në dhjetor të viti 2010, por vrasësi i saj, vrasësi serik i Long Ajlendit ende gjendet në liri. 

(Kosova Sot Online)