Huti terrorizon një qytet holandez

  • 06 March 2020 - 12:34
Huti terrorizon një qytet holandez

Qyteti Purmerend në Holandë ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave këtë javë, pasi që ishte bërë e ditur se me dhjetëra qytetarë të tij kanë pësuar lëndime të kokës së fundmi si rezultat i sulmeve nga një hut agresiv, i cili jetonte aty afër. Të martën e kaluar, huti evropian kishte sulmuar dy vrapues, ku njëri nga ta më pas pati nevojë ta qepte kokën, meqë huti ia kishte shkaktuar pesë plagë.

Edhe një shtëpi e personave të paaftë kishte qenë cak i sulmeve nga ky zog, ku disa punëtorë dhe banorë të asaj shtëpie ishin sulmuar pasi që kishin dalë jashtë në mbrëmje. "Gjatë ditës nuk ka problem, por gjatë natës tani dalim vetëm me ombrella, helmeta dhe kapela", ka thënë zëdhënësja e kësaj shtëpie. Huti zakonisht ushqehet me zogj dhe gjitarë më të vegjël. Mendohet se kjo sjellje agresive e hutit mund të jetë shenjë se ai ka sasi të tepërt të hormoneve, meqë gjendet në sezonin e çiftëzimit.

(Kosova Sot Online)