Një krijesë misterioze paraqitet në brigjet e Rusisë lindore

  • 10 maj 2020 - 08:11
Një krijesë misterioze paraqitet në brigjet e Rusisë lindore

Cofëtina e një krijese misterioze të detit ka dalë në bregdetin e Rusisë lindore, por identifikimi i saj mbetet objekt debatesh dhe intrigash, kryesisht për shkak se, në pjesën e bishtit, është vërejtur prania e gëzofit (leshit). Kjo krijesë e detit, me madhësi rreth 4 metra, me një turi të zgjatur dhe me disa brinjë që duken, është gjetur në ishullin Sakhalin.

Banorët lokalë e kishin përshkruar atë si një dinozaur, përveç se me një hundë të madhe, sikur sqepi i shpezëve. Disa kanë sugjeruar se cofëtina në fjalë i takon një delfini të rrezikuar që jeton në lumin Gang, në Indi, por gjatësia e cofëtinës së gjetur është më e madhe sesa ajo e delfinit të lumenjve dhe nuk ka të ngjarë që një delfin i ujërave të ëmbla të ketë udhëtuar deri te këto ujëra. Ekspertët thonë se, po të mos ishte gëzofi në pjesën e bishtit, ata do të thoshin se kjo është mbetja e ndonjë delfini. Në rrjetet sociale qarkullon edhe sqarimi i ekspertit Wojtek Bachara, i cili thotë se cofëtina i takon një lloji të balenës dhe se gëzofi në fakt nuk është gëzof, por fillimi i kalbjes së mishit. 


(Kosova Sot Online)