Ndërtimi i saj ngadalësoi rrotullimin e Tokës: Cila është megastruktura kineze që habiti NASA-n

  • E.K /
  • 06 July 2020 - 23:43
 Ndërtimi i saj ngadalësoi rrotullimin e Tokës: Cila është megastruktura kineze që habiti NASA-n

Nga Piramida e Keopsit, tek Pentagoni, pallati i madh në Bukuresht, njerëzit vazhdimisht po shtyjnë kufijtë kur bëhet fjalë për megastruktura, por vetëm një është ajo që pretendohet se ka ndikuar në shpejtësinë me të cilën rrotullohet Toka.

Përkatësisht, kur diga gjigande e hidrocentralit “Tre Gorges” në lumin Yangtze në Kinë u krye, agjensia amerikane e kërkimit të hapësirës NASA njoftoi se për shkak të ndërtimit të saj, por edhe liqenit që u krijua, rotacioni i planetit Tokë u ngadalësua me 0.06 mikrosekonda, që është gjashtë të qindtat e një të miliontit të sekondës.

Diga filloi të ndërtohej mes viteve 1993–1994 në lumin e tretë më të gjatë në botë (6.000 km) dhe turbina e fundit u vu në veprim në vitin 2012.

Vetë diga është e gjatë 2.4 kilometra dhe e lartë 185 metra. U gërmua në një tokë me shkëmbinj të pabesueshëm, duke u nxjerrë 103 milion metra kub inerte, e u instaluan 27.2 milion metra kub beton me 463,000 ton çeliku, gjë që është e mjaftueshme për 60 Kullat Eife.

Liqeni artificial është i gjatë rreth 620 kilometra dhe i gjerë 1.12 km. Ai mbulon një sipërfaqe prej rreth 1,045 kilometra katrorë. Për të ndërtuar digën, ishte e nevojshme të lëviznin rreth 150 qytete dhe 1.500 fshatra. 1.2 milion njerëz janë shpërngulur përgjithmonë. Shumë monumente të rëndësishme historike, disa mijëra vjet të vjetra, janë zhvendosur dhe shumë kanë përfunduar nën ujë.

Kostoja e ndërtimit të digës asnjëherë nuk u njoftua zyrtarisht. Vlerësimet variojnë nga 50 deri në 100 miliardë dollarë, por kjo shifër e fundit duhet të merret me rezerva, pasi më së shpeshti përmendet nga kundërshtarët e ndërtimit të digave.

Ata përmendin ndikime të shumta negative në mjedis, por së pari duhet të hetohet që diga, përveç sigurimit të 11 përqind të energjisë elektrike të nevojshme për Kinën, frenoi edhe lumin Yangtze, përmbytjet e të cilit kanë marrë 33,000 jetë njerëzish.

(Kosova Sot Online)