Kur hakmerren shpirtrat

  • A.P /
  • 29 July 2020 - 14:45
Kur hakmerren shpirtrat

Mark dhe Debby Constantino nga Rino (Nevada) regjistronin zërat e fantazmave në audio-incizime. Si ekspertë të kësaj fushe, ata kishin marrë pjesë në emisionin "Ghost adventures", ku transmetohen vendet më të frikshme në botë. Ata ishin martuar në vitin 1989 dhe dukeshin si çift i përkryer, meqë që të dy ishin të preokupuar me studimin e dukurive paranormale. Por, disa ditë më parë ndodhi një tragjedi e cila ishte po aq e tmerrshme sa edhe rastet që ata i studionin, duke bërë të qartë se sa kaotike e kishin jetën ata: Marku e vrau Debby-n, një njeri tjetër dhe veten.

Fasada Kur ishin ftuar që të bashkëpunonin në emisionin "Ghost adventures", Debby kishte deklaruar: "Ajo për çka ky program është unik, ka të bëjë me faktin se viziton vendet më të frikshme... Nëse me të vërtetë doni që të frikësoheni, atëherë jeni duke e shikuar emisionin e duhur". Por, ekscentrizmi simpatik duket se ishte vetëm një maskë ndaj tmerrit në jetën e tyre private edhe pse edhe më parë kishte pasur thashetheme se martesa e tyre nuk ishte aspak në rregull. Sikur që njoftonte kanali TV KRNV nga Rino, Debby ishte arrestuar në mars të vitit 2014 për shkak të dhunës në familje. Pas një grindjeje rreth parave, ajo e kishte prerë Markun në dorë me një thikë kuzhine. Gjashtë javë më pas, Marku dhe vajza e tyre Rachel Constantino e kishin rrëmbyer Debby-n. Ata u akuzuan pasi që tentuan që ta mbysnin atë, me ç'rast ia kishin thyer hundën. Kjo ngjarje me gjasë kishte ndikuar që, më 10 shtator, ata ta dorëzonin kërkesën për shkurorëzim. Tragjedia Por, nuk mbaroi gjithçka këtu. Të martën e kaluar, rreth orës shtatë në mëngjes, kanali TV "KOLO 8" njoftonte se një grua, pasi që ishte kthyer në shtëpi, e kishte gjetur cimerin e saj të vdekur. Cimerja tjetër, Debby Constantino, nuk gjendej askund.

Ajo e thirri policinë, të cilët tanimë e kishin të njohur atë adresë. Sinjalet e celularëve të çiftit martesor Constantino e çuan policinë deri te kompleksi banesor në afërsi të Sparksit (Nevada). Kur policia tentoi që të hynte në banesën e vajzës së tyre Rachel, Mark gjuajti me revole. "Mi jepni 15 minuta që ta marr veten, përndryshe do ta vras", kishte thënë Mark. Pjesëtarët e armatosur të njësive speciale SWAT kishin shkuar me nguti në vendin e ngjarjes, derisa policia ishte duke biseduar me Markun, i cili gjoja ishte në lidhje edhe me vajzën Rachel.

Ajo nuk gjendej në banesë. Negociatorët bisedonin me të me anë të telefonit, e sipas fjalëve të zëvendësshefit të policisë, Brian Miller, qëllimi ishte që të gjithë të dilnin jashtë dhe që çdo gjë të përfundonte pa viktima. Krejt kjo zgjati gati tri orë. Rreth orës një e gjysmë pas mesnate, u dëgjuan të shtënat. Policët hynë brenda dhe gjetën çiftin bashkëshortor të vdekur. Spekulimet Menjëherë pas kësaj tragjedie, ka pasur zëra të shumtë se ajo ishte rezultat i hakmarrjes së fantazmave ndaj këtij çifti. Sipas këtij shpjegimi, meqë çifti, ku pjesëtarët e tij e donin pa masë njëri-tjetrin, i kishin trazuar dhe "spiunuar" shpirtrat, këta të fundit ishin hakmarrë në mënyrën më të vrazhdë të mundur. 

(Kosova Sot Online)