Receta e Cekës: Shtëpiza e ëmbël e babadimrit

  • 12 December 2018 - 10:48
Receta e Cekës: Shtëpiza e ëmbël e babadimrit

PËRBËRËSIT PËR BRUMIN:

1/2 kg. miell,

1 lugëz ç.

sodë bikarboni,

200 gr. sheqer,

100 gr. mjaltë,

3 vezë.

PËR BORË:

2 të bardha vezësh,

300 gr. sheqer,

2 lugë ujë valë,

disa pikë limoni.

Përzihet mielli me sodë. Vezët tunden me sheqer. Shtohet mjalti i shkrirë dhe përzihet mirë. Gradualisht hidhet mielli duke e përzier vazhdimisht me lugë. Brumi ngjeshet në tavolinë të përmillur, mbulohet me plastmasë dhe futet në frigorifer që të qëndrojë tër natën. Brumi tëhollohet në 2-3 letra të yndyrshme varësisht nga madhësia e tepsisë, në trashësi prej afro ¾ cm. Me anë të letrës-model pritet brumi: 2 pjesë të përparme, 2 pjesë kulmi, dhe 4 pjesë të vogla për oxhak. Me brumin e mbetur gatuhen kek në formë babadimri. Sipas imagjinatës së amvises, mund të formohen brej, saja, gardh oborri etj. Brumi i prerë vendoset me letër në tepsia dhe piqet në furrë me temp. 200 gradë C për 15 min. Pas pjekjes në njërën kore të përparme, pritet dera. Pjesët ngjiten me kujdes me marengën e tundur ose me gjalpë të tundur me pak sheqer. Brenda shtëpizës vendosen gota, në mënyrë që ajo të mbështetet, gjersa të forcohet. Tunden të bardhat e vezëve në shkumë. Sheqeri, uji valë dhe limoni zihen në shurup të trashë. Sherbeti hidhet pikë-pikë skajeve të shkumës, duke e tundur atë vazhdimisht. Pasi të tundet gjatë një marengë e qëndrueshme, me të lyhet kulmi. Vendoset oxhaku, mbi të cilin vehet pak pamuk. Shtëpiza vendoset në koren e tëholluar dhe të pjekur nga brumi i mbetur ose në tabak të përshtatshëm. Zbukurohet shtëpiza sipas dëshirës. Shtëpiza e baba dimrit mund të përgaditet edhe me brum të vanilzave ose kore obllande.

 

(Kosova Sot)