Reçeta e Cekës: Bukë të vogla mbrume

  • 20 prill 2019 - 08:30
Reçeta e Cekës: Bukë të vogla mbrume

Përbërësit:

• 1 filxhan kafeje ujë të vakët, me të cilin ulet dhe përzihet mirë maja e bukës, e madhësisë së arrës;
• 2 gota ujë të vakët; 
• kripë, miell.

Në enën ku do të gatuhet brumi qiten uji dhe maja e përzier mirë me ujë dhe kripë. Hidhet mielli pak e nga pak, duke e tundur vazhdimisht me lugë druri. Brumi gatuhet me lugë, sepse është aq i butë, saqë ngjitet për duar.

Pasi të tundet dhe të përzihet mirë, ena mbulohet dhe qëndron në vend të vakët 1-2 orë. Pasi të vijë masa e brumit, ai me lugë druri hidhet pjesë-pjesë, 6-8 sosh, në miell të shtruar në tavolinë dhe duke i ngjeshur në miell, u jepet forma e rrumbullakët, sheshohen dhe vendosen në pëlhurë të pastër dhe të përmillur.

Pastaj lagen pak me ujë. Të mbuluara qëndrojnë edhe 20 minuta, pastaj lagen mbi me ujë, shpohen në disa vende dhe duke mos ia prishur formën, radhiten në tepsi të nxehur më parë në furrë dhe të përmillur.

Futen në furrë të nxehtë për t'u pjekur për 8- 10 minuta, varësisht nga madhësia e pitalkave. Sa të nxirren nga furra, ato mbulohen me pecetë. Shërbehen të nxehta me djathë, mazë, speca të pjekur, shëllirë, suxhuk etj

(Kosova Sot)