Receta e Cekës - Princes krofne

  • 31 August 2019 - 09:05
Receta e Cekës - Princes krofne

PËRBËRËSIT:

1 filxhan kafeje yndyrë, 2 filxhanë kafeje ujë, 100 gr miell (1 gotë 2. 1/2 dcl), 1/2 qeskë pluhur paste, 4 vezë. 
KREMI:

1 litër qumësht, 8 lugë supe sheqer, 8 lugë miell, 2 vezë, 1 sheqer vanileje. 

Vlohet uji me yndyrë. Largohet ena nga zjarri dhe, duke e përzier, hidhet gradualisht mielli i përzier me pluhur paste. Ena kthehet në zjarr për t’u fërguar brumi gjersa të shkëputet nga luga dhe ena. Brumi ftohet, pastaj hidhen vezët një nga një, duke e tundur brumin me mikser. Me kaush ose me lugë të mesme, në madhësi të një arre, të larguara njëra nga tjetra, vendosen topthat në tepsi të shtruar me letër pergamenti, ose në formë topthash të vegjël - profiterole, në formë të zgjatur - moka ekler. Futen në furrë të nxehtë me temperaturë 200 gradë C për t’u pjekur për afro 30 minuta. Nuk çilet furra 20 minuta pas pjekjes. Nëse dëshirohen krofnemjellma, nga brumi i mbetur, me kaush të hollë kuzhine , formohen disa “qafa” mjellmash në formë të shkronjës S. Piqen në temperatur 180 gradë C për 10 minuta.

Të verdhat e vezëve, sheqeri, mielli, sheqeri vanilje dhe 1 gotë qumësht i ftohtë, tunden me mikser. Masa derdhet në qumështin e valë, duke e tundur kremin vazhdimisht me mikser, gjersa të trashet. Të bardhat e vezëve tunden në shkumë të qëndrueshme dhe bashkohen me krem duke e përzier me lugë gjersa të bëhet një krem kompakt. Krofnet e pjekura priten horizontalisht përgjysmë dhe mbushen me kremin e përgatitur. Nëse përgatiten “mjellmat”, korja e sipërme pritet përgjysmë, në mes vendoset qafa në mënyrë që të marrë formën e mjellmës. Mbi hidhet sheqer pluhur. Princ krofnet mund të mbushen edhe me akullore. Në këtë rast krofnet ftohen në frigorifer, kurse mbushen me akull para servimit. Variant për brumin: 1/4 dcl ujë, pak kripë, 70 gr gjalpë, 160 gr miell, 4 vezë. Brumi i përgatitur vendoset me anë të kaushit të dhëmbëzuar, në formë topthash ose të zgjatur, në tepsi të lyer me yndyrë dhe të përmillur. Në vend të kremit të zier, mund të përdoret ajkë e tundur. Kuptohet që kremi ka shije të veçant. 

(Kosova Sot Online)