Gratë shtatzëna duhet të kenë kujdes! Dieta vegane rrezikon dëmtim neurologjik të fetusit

  • 03 March 2018 - 21:51
Gratë shtatzëna duhet të kenë kujdes! Dieta vegane rrezikon dëmtim neurologjik të fetusit

Dieta vegane ose vegjetariane është nën akuzë. Rastet e mungesës së vitaminës B12 gjatë shtatzënisë janë trefishuar në dy vitet e fundit, me rrezikun e dëmtimit neurologjik të përhershëm të porsalindurit.

Alarmi është dhënë nga ekspertët e spitalit “Bambino Gesu” në Romë dhe të spitalit “Meyer” në Firence, të cilët kanë identifikuar dietën e gabuar të nënave.

Ekspertët gjithashtu shpjegojnë se rastet janë rritur nga viti 2015 që ishin 42, në 126 të tilla në 2016-n. “Rastet janë të pakta pasi po përballemi me një sëmundje të rrallë, por rritja po shkakton alarm”, kanë shtuar ata.

“Vitamina B12 ose kobalami, gjendet në ushqime me origjinë shtazore, ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit nervor qendror dhe rritjes së nevojave të saj në shtatzëni. Nëse nëna nuk merr mjaftueshëm, ose më keq nuk e merr fare, mund të krijojë dëmtime të reja neurologjike në mitër, e cila vazhdon dhe përkeqësohet në muajt e ardhshëm, me ushqyerjen me gji”, shpjegon Carlo Dionisi Vici, kreu i Njësisë Operacionale komplekse të patologjisë metabolike të spitalit “Bambino Gesu” në Romë.

Me çfarë të ushqeheni gjatë periudhës së shtatzënisë?

Prandaj do të ishte e rëndësishme për gratë që janë pritje të ëmbël e që ushqehen me fruta e perime, të konsumojnë qumësht, vezë e produkte të tjera që kanë vitaminën B12.

“Deficiti amë i vitaminës B12 sot ndikon rreth 1 të porsalindur nga 4000, kështu që numëron më shumë se 100 raste në vit në Itali, të cilat nuk janë aspak të pakta”, shton Carlo Dionisi Vici.

Sipas tij, ky problem gjendet më së shumti te fëmijët e emigrantëve nga vende të tilla si Pakistani, Bangladeshi apo India, të cilat tradicionalisht kanë një dietë kryesisht vegjetarianë.

Carlo vijon duke thënë se “ajo që ekspertët po vënë re është se edhe gratë italiane kanë nisur që të ndjekin një dietë të tillë gjatë shtatzënisë, pa marrë parasysh rreziqet që po u shkaktojnë fëmijëve”.

Ndërkohë drejtori i Laboratorit të Zgjatur të Kontrollit Neonatal të Spitalit Universitar “Meyer”, Giancarlo la Marca është shprehur se mjetet e komunikimit dhe ato institucionale duhet menjëherë dhe me forcë të sinjalizojnë rrezikshmërinë e dietës vegjetariane ose vegan gjatë shtatzënisë.

Nënat që nuk kanë këtë vitaminë në dietën e tyre duhet të marrin shtesa gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji, sepse fëmijët e tyre janë në rrezik të sëmundjes.

“Duke qenë një sëmundje shumë serioze, por në shumë raste edhe lehtësisht e shmangshme, duhet bërë një fushatë sensibilizuese nga mjekët, mediat dhe institucionet përkatëse pasi mund të shpëtohen shumë jetë”, shpjegon drejtori i Observatorit të Sëmundjeve të Rënda, Ilaria Ciancaleoni Bartoli.

(Kosova Sot)