Këshillat e kirurgut oral për shtatzënat

  • 15 mars 2019 - 17:45
Këshillat e kirurgut oral për shtatzënat

Stomatologët gjatë punës së tyre shpesh ballafaqohen me paciente shtatzëna. Për shkak të rrezikut të rritur për shfaqjen e një numri komplikimesh te shtatzënat si dhe te fetusi, stomatologu duhet t’u sigurojë shtatzënave qëndrim të sigurt, të mirë dhe komod në ordinancën e tij. Anketat e ndryshme në mbarë botën kanë treguar që ekzistojnë dallime të mëdha në literaturën shkencore sa i përket protokolleve se si duhet sjellë me shtatzënë, posaçërisht mendime të ndryshme për sa i përket veprimit të barnave (medikamenteve), anestetikëve lokalë, fluorizimit, rentgenit etj. Po ashtu, anketat kanë treguar që stomatologëve u nevojitet edukim shtesë në këtë fushë.

Gjatë shtatzënisë është shumë me rëndësi që të shmanget ekspozimi ndaj rrezeve rëntgen, veçanërisht në tremujorin e parë, sepse zhvillimi i fetusit në atë fazë është shumë i ndjeshëm. Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë si dhe Kolegjit Amerikan të Gjinekologëve dhe Obsteterëve, incizimi rendgenologjik nuk duhet të realizohet, përveç në rastet kur informacioni që fitohet nga ai incizim është i rëndësishëm për kujdesin e pacientit si dhe nuk mund të sigurohet në mënyrë tjetër. Tremujori i dytë është më i sigurti sa u përket intervenimeve stomatologjike joinvazive. Fillimi i tremujorit të tretë është po ashtu i sigurt, kurse pas mesit të këtij tremujori është mirë që intervenimet stomatologjike të shtyhen.

Shtatzënia kërkon kujdes të veçantë me rastin e marrjes dhe përshkrimit të barnave, veçanërisht kjo ka të bëjë me analgjetikët dhe antibiotikët.

Sa u përket anestetikëve lokalë, Lidokaina, e cila përdoret më së shumti në stomatologji hyn në kategorinë B sipas FDA ( Food and Drug Administration ) që do të thotë, se është e sigurt për përdorim si gjatë shtatzënisë, ashtu edhe gjate gjidhënies. Po ashtu, edhe shumica e antibiotikëve hyn në këtë kategori, me përjashtim të Tetraciklinave, të cilat kundërindikohen gjatë shtatzënisë, për shkak se shkakton diskolorim të dhembjeve, inhibim (pengim) të rritjes së kockave si dhe abnormalitete të tjera skeletore etj. Sa u përket analgjetikëve, bar i zgjedhur është paracetamoli. Por prapëseprapë para çdo përdorimi të tyre duhet konsultuar mjeku përgjegjës .

Për shkak të nivelit të rritur të hormoneve, si progesteroni dhe estrogjeni, gjatë shtatzënisë rritet edhe vaskularizimi i gingives, që shpie deri te rritja e ndjeshmërisë në irritim (ngacmim) dhe shfaqjes së inflamacionit. Jo rrallë, edema mund të jetë aq e madhe saqë gingiva e rritur e mbulon një sipërfaqe të madhe të dhëmbit, duke bërë që dhëmbi të duket më i vogël. Në këtë mënyrë ndërmjet dhëmbit dhe gingives së rritur (ënjtur) krijohen xhepat që janë rezervuar i baktereve dhe që nuk janë të qasshëm për pastrim. Në këto raste pastrimi duhet të bëhet vetëm te stomatologu, i cili pastrim, nëse shtyhet për më vonë, mund të shpjerë deri te krijimi i kariesit dhe parodontiti.

Shpeshherë keni dëgjuar nga nënat se shtatzënia i dëmton dhëmbët ( 1 dhëmb, 1 shtatzëni ). Për shkak të ndërtimit dhe rritjes së skeletit të fëmijës te shtatzënat ekziston nevoja më e madhe për kalcium. Në rastin e mungesës së kalciumit, shfrytëzohet kalciumi nga kockat e nënës, sepse sasia e kalciumit që ndodhet në dhëmbë, përveçqë është e vogël, ndodhet në një lidhje stabile. Për këtë arsye, shtatzënia nuk është shkaktare e humbjes së kalciumit, por që kalciumi mund të dëmtohet nga kariesi.

 

Këshillat për fund:

Kontrollet e rregullta te stomatologu çdo 2-3 muaj,

Higjiena e rritur e dhëmbëve dhe gojës,

Sanimi i mbushjeve të vjetra ose kariesit, largimi i depozitimeve të buta (pigmentet) dhe të forta (gurët dhe konkrementet) në procesin e planifikimit apo gjatë shtatzënisë.

Dr. Petrit Hoxha,

Kirurg oral

(Kosova Sot)