Analiza e gjakut për kancer të gjirit

  • 27 May 2019 - 08:12
Analiza e gjakut për kancer të gjirit

Kërkuesit shkencorë nga Kolegji Universitar në Londër kanë identifikuar "ndërprerësin" molekular, i cili lidhet me një rrezik më të madh nga paraqitja e kancerit të gjirit. Rezultatet e studimit të tyre bazohen në analizën e ADN-së nga mostrat e gjakut të 119 pacientëve të sëmurë nga kanceri i gjirit dhe nga 122 gra të shëndetshme, nga grupi i kontrollit.

Të gjitha pjesëmarrëset në këtë studim kishin kaluar menopauzën, e më pas ishin përcjellë për 12 vjet me radhë. Shkencëtarët besojnë se studimi i tyre do të çojë deri te zbulimi i një analize të gjakut, për ta zbuluar rrezikun më të madh nga paraqitja e kësaj sëmundjeje rreth disa vite para vënies së diagnozës.

Shënjuesi (marker) i sapozbuluar lidhet me gjenin BRCA1, i cili është faktor i njohur i rrezikut për kancer të gjirit, por është parë se gjendet edhe te pacientet që nuk kishin mutacione të rrezikshme të këtij gjeni. Variantet e gjeneve BRCA1 dhe BRCA2 trashëgohen nga prindërit dhe janë përgjegjëse për 10 % të rasteve të kancerit të gjirit. Vlerësohet sesi femrat me mutacione të gjenit BRCA1 kanë për 85% më shumë gjasë që të sëmuren nga kanceri i gjirit.

(Kosova Sot Online)