Shprehitë e turpshme që na ruajnë shëndetin

  • 25 June 2019 - 14:52
Shprehitë e turpshme që na ruajnë shëndetin

ERA E KEQE E SQETULLAVE

“Është mirë të jemi të vetëdijshëm rreth ndryshimit të erës trupore, meqë kjo ndonjëherë mund të sinjalizojë ndonjë problem shëndetësor”, thotë dermatologia Jeanine Downie. Për shembull, nëse djersa juaj përnjëherë merr erë birre, kjo mund të jetë shenjë e problemeve me veshka. Shkaku më i shpeshtë i ndryshimit të aromës së trupit është stresi. Kur jeni të ngarkuar, gjëndrat mbiveshkore lirojnë hormonin kortizol, i cili, kur përzihet me hormone të tjera, jep një erë më të fortë. Pra, nëse keni filluar të keni erë të fortë dhe të pakëndshme, atëherë ndoshta ka ardhur koha që të mendoni për pushim.  

GOGËSIMA

Është një reagim krejtësisht normal fiziologjik pas marrjes (gëlltitjes) së sasive tepër të mëdha të ajrit gjatë ushqimit. Përpos kësaj, gogësima na çliron edhe nga ndjenja e sikletshme dhe ndjenja e lukthit të fryrë. Gogësima i ndihmon tretjes dhe zbut simptomat te paraqitja e mundimit dhe urthit.

BËRJA E RRALLË E DUSHIT

Nuk duhet assesi ta lëmë pas dore kujdesin ndaj higjienës personale, sidomos nëse ushtrojmë dhe djersitemi. Por, nëse nuk kemi aktivitet të madh fizik, atëherë bërjen e rregullt të dushit mund ta anashkalojmë herë pas here. “Në fakt, lëkura jonë përmban baktere të mira, të cilat nuk është e thënë t’i heqim”, thotë dermatologu Richard Gallo. E njëjta gjë vlen edhe për larjen e flokëve. Disa dermatologë thonë se larja e përditshme e flokëve i largon yndyrat mbrojtëse, të cilat i mbajnë flokët të hidratuar.

FLISNI VETË ME VETE

Një studim i bërë në revistën “Quarterly Journal of Experimental Psychology” ka zbuluar se njerëzit do të gjejnë më shpejt diçka që iu ka humbur, nëse atë e thonë me zë. Gjatë studimit, pjesëmarrësit duhej ta gjenin shishen me një pije të gazuar në raftet e stërmbushura me pije. Ata që “murmuritnin” emrin e pijes që duhej ta gjenin, e gjenin atë më shpejt. 

DYLLI NË VESHË

Shumica e mjekëve nuk e preferojnë përdorimin e shkopinjve me pambuk për pastrimin e veshëve, meqë kështu dyllin mund ta futni edhe më brenda në vesh. Por, ka raste kur duhet t’i pastroni veshët. Sipas revistës “American Academy of Otolaryngology”, nëse grumbullohet sasi e tepërt e dyllit, atëherë kjo mund të shkaktojë fishkëllimë të veshëve, kruarje, kollitje, bile edhe humbje të pjesshme të dëgjimit. Lani pjesët e jashtme të veshit me ujë të vakët, apo lani veshët te mjeku.

(Kosova Sot Online)