Shkencëtarët: Muzika na bën më të fuqishëm

  • 03 July 2019 - 14:34
Shkencëtarët: Muzika na bën më të fuqishëm

Pa marrë parasysh se a jeni në palestër apo jeni duke vrapuar në natyrë, nëse keni kufjet në vesh derisa ushtroni, ju do të jeni shumë më të motivuar. Sipas një studimi të ri, muzika, sidomos nëse është me bas të lartë, ndikon pozitivisht në motivimin tuaj për të bërë ushtrime. Ekipi hulumtues, i udhëhequr nga Dennis Hsu nga Universiteti i Evanstonit, së fundmi e kanë publikuar studimin e tyre në revistën 'Social Psychological & Personality Science'.

Hsu ka thënë që ai dhe kolegët e tij janë inspiruar për ta bërë këtë studim pasi që kishin vërejtur që pothuajse të gjithë atletët, futeshin në sallat e ushtrimeve me kufje në vesh. 'Mënyra sesi ata i qasen muzikës - disa duke mbyllur sytë, e disa të tjerë duke e ndierë tërësisht atë - lë të kuptohet që ata janë duke u fuqizuar teksa dëgjojnë muzikë. Duket sikur muzika i përgatit ata mentalisht dhe fizikisht', ka thënë Hsu. Në një studim të bërë me 31 këngë, të zhanreve të ndryshme, hulumtuesit kanë ardhur në përfundim që këngët, që u kanë dhënë dëgjuesve më së shumti fuqi, janë "We Will Rock You" kënduar nga Queen dhe "Get Ready for This", kënduar nga '2 Unlimited'. 

(Kosova Sot Online)