Të gjitha dobitë e trumzës

  • 29 July 2019 - 08:48
Të gjitha dobitë e trumzës

Emri shkencor i trumzës është Thymus (vulgaris, serpyllum). Trumza është bimë që përdoret si mëlmesë, e që përshtatet shumë mirë me peshq dhe me lloje të ndryshme të mishit, të cilëve iu jep një shije të fortë, pikante. Përpos si mëlmesë, trumza përdoret edhe si ilaç në mjekësinë popullore. Ajo përmban vajra eterike, prandaj është shumë e dobishme te problemet e organeve të frymëmarrjes. Ajo e lehtëson kollitjen, si dhe ka veprim antiseptik, gjë që ka bërë që ajo të jetë përbërës i shpeshtë i pastave për dhëmbë.

Duhet ditur se përbërësit shërues gjenden vetëm në gjethen e kësaj bime. Ajo duhet të mblidhet me kujdes, meqë nëse shkulet, vjen deri te shkatërrimi i bimës. Mblidhet duke filluar nga marsi, e deri në korrik. Trumza mund të përdoret edhe si çaj, gjatë ftohjes, apo si preventivë kundër ftohjes. Është parë se tinktura e trumzës është e dobishme kundër akneve, meqë shkatërron bakteret. E, vajrat eterike të trumzës janë të dobishme edhe te infeksionet urinare.  

(Kosova Sot Online)