Mishi i kuq ua shkurton jetën

  • 18 August 2019 - 18:26
Mishi i kuq ua shkurton jetën

Është e vërtetë se mishi i kuq preferohet aq shumë nga shumica prej nesh, saqë nëse një shujtë nuk e përmban atë, ne nuk e konsiderojmë shujtë adekuate. Por, nëse doni që të jetoni më gjatë, atëherë duhet ta kufizoni konsumimin e mishit të kuq. Studimi më i ri, i botuar në revistën "American Journal of Clinical Nutrition", tregon se konsumimi i mishit të kuq dhe i produkteve të përpunuara të tij lidhet me një rrezik më të lartë nga vdekja.

Shkencëtarët suedezë kanë mbledhur të dhëna nga 74.645 pjesëmarrës në studim, gjatë 15 vjetëve të fundit, ku gjatë kësaj periudhe janë shënuar 16.683 raste të vdekjes, gjë që është e barabartë me 20% të pjesëmarrësve në studim. Krahasuar me ata që asnjëherë nuk kishin ngrënë mish të kuq, ata që konsumonin rreth 300 gramë mish të kuq dhe të produkteve të mishit në ditë, kishin pasur një shkurtim të jetës prej mesatarisht dy viteve. Kur bëhet fjalë për konsumimin vetëm të produkteve të mishit, atëherë është parë se 100 gramë në ditë lidhen me një jetë më të shkurtër për rreth nëntë muaj. Pra, produktet e mishit janë më të dëmshme sesa mishi i freskët. 


(Kosova Sot Online)