Hormonet artificiale e dyfishojnë rrezikun nga kanceri i gjirit

  • 30 August 2019 - 12:35
Hormonet artificiale e dyfishojnë rrezikun nga kanceri i gjirit

Rreziku i prekjes nga kanceri i gjirit tek gratë, të cilat përdorin terapinë e zëvendësimit të hormoneve është dyfish më i lartë, në krahasim me gratë që nuk e kanë aplikuar këtë terapi. Kjo sipas një studimi të madh, i cili ka konfirmuar që kjo lloj terapie është shkaktare direkte e kancerit tek gratë, shkruan The Guardian.

Këto gjetje tregojnë se sa më gjatë që gratë e përdorin këtë lloj terapie aq më shumë e rrisin rrezikun të preken nga kanceri i gjirit. Gjithashtu, në këtë studim është vërejtur se fatkeqësisht rreziku nuk largohet nëse vendosni të hiqni dorë nga terapia hormonale.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Britaninë e Madhe, gratë që kanë përdorur ose janë duke përdorur këtë lloj terapie duhet të jenë vigjilente dhe të kujdesshme në detektimin e simptomave të para të kancerit të gjirit.

Studimi i publikuar në revistën “Lancet medical journal”, ka thënë se një në 50 gra e aplikojnë terapinë e hormoneve të estrogjenit dhe progesteronit.

Sipas informacioneve, këtë terapi e marrin  1 milion gra në Britaninë e Madhe,  5 milion në Evropë dhe 6 milion gra në SHBA.

Terapia e zëvendësimit të hormoneve, është një mënyrë e trajtimit dhe lehtësimit të simptomave të menopauzës. Ekspertët thonë se gratë duhet të jenë të vetëdijshme për efektet anësore që kjo terapi ka dhe të konsultohet me specialist përpara se të marrin vendimin t’i nënshtrohen kësaj terapie.
 

(Kosova Sot Online)