Ndikimi i vitaminës d në shëndetin tuaj

  • 13 September 2019 - 15:20
Ndikimi i vitaminës d në shëndetin tuaj

Të gjithë e dimë që vitamina D është shumë e rëndësishme për mirëqenien e trupit, mirëpo më poshtë mund ta kuptoni ndikimin e saktë që kjo vitaminë ka në shëndetin tuaj.

VITAMINA D PËRMIRËSON ESHTRAT

Vitamina D është shumë e rëndësishme për eshtra të fortë, që prej moshës së hershme deri në pleqëri. Personat e rritur kanë nevojë për vitaminë D, pasi që u ndihmon trupit të tyre që ta absorbojë kalciumin, derisa foshnjat dhe fëmijët duhet të konsumojnë vitaminë D, për të shmangur formimin e eshtrave të brishtë.

MUNGESA E VITAMINËS D SHKAKTON SKLEROZË TË SHUMËFISHTË

Skleroza e shumëfishtë është shumë më e pranishme në zonat, të cilat nuk janë të "përkëdhelura" shumë nga dielli, gjë që i ka shtyrë shkencëtarët ta studiojnë këtë fenomen. Shkencëtarët tani pretendojnë që skleroza e shumëfishtë shkaktohet si pasojë e një çrregullimi gjenetik, që vjen si rrjedhojë e nivelit të ulët të vitaminës D.

VITAMINA D DHE DIABETI

Ndonëse e kanë pranuar që nuk kanë prova të mjaftueshme, shkencëtarët dhe doktorët pretendojnë që mungesa e vitaminës D është e lidhur ngushtë me diabetin, andaj edhe rekomandojnë konsumimin e kësaj vitamine, për të qenë të mbrojtur nga diabeti. Mungesa e vitaminës D dhe sasia e tepërt e yndyrës në trup janë llogaritur shkaktarë të barabartë të diabetit!

VITAMINA D NDIKON NË HUMBJEN E PESHËS

Studimet kanë treguar që njerëzit me mbipeshë zakonisht kanë nivel të ultë të vitaminës D në gjak. Ende nuk është e qartë nëse trashësia ndikon në nivelin e ultë të vitaminës D, apo është e kundërta, megjithatë doktorët thonë që nëse njerëzit me mbipeshë do të fillonin të konsumojnë më tepër vitaminë D, gjasat e tyre për heqjen e kilogramëve të tepërt do të ishin shumë më të mëdha.

NIVELI I ULËT I VITAMINËS D DHE DEPRESIONI

Vitamina D luan një rol shumë të rëndësishëm edhe në zhvillimin dhe funksionimin e trurit. Një studim ka treguar që doza e lartë e vitaminës D ndikon në uljen e simptomave të depresionit. Megjithatë, para se të filloni me konsumimin e tabletave, apo të ushqimeve që përmbajnë vitaminë D, është shumë e rëndësishme të konsultoheni me doktorin tuaj.

SI E MARRIM VITAMINËN D NGA DIELLI?

Shumica e njerëzve marrin vitaminë D nga rrezet e diellit. Ku rrezet e diellit përkëdhelin lëkurën, trupi fillon me prodhimin e vitaminës D. Megjithatë, trupi juaj ka nevojë për më shumë vitaminë D. Personat me lëkurë të çeltë mund ta arrijnë nivelin e dëshirueshëm të vitaminës D me vetëm dhjetë minuta ekspozim ndaj diellit dhe atë për tri herë në javë, mirëpo kjo vlen vetëm për stinën e verës pasi që kur rrezet e diellit nuk janë të forta, të gjithë duhet t'u kthehen ushqimeve për t'u pajisur me vitaminë D.

(Kosova Sot Online)