Pesë ushqimet e preferuara nga njerëzit me peshë ideale

  • 20 September 2019 - 09:20
Pesë ushqimet e preferuara nga njerëzit me peshë ideale

Shumë njerëz kanë peshë ideale për shkak të gjeneve të tyre, por kjo nuk vlen për të gjithë ata. Disa i kushtojnë kujdes asaj që hanë, derisa të tjerët vetvetiu kanë një të ushqyer adekuat. Nëse doni që edhe ju të hyni në grupin e njerëzve me peshë ideale, atëherë ne ju tregojmë se cilat ushqime i preferojnë ata.

1) PRODUKTET E QUMËSHTIT

Disa universitete amerikane janë bashkuar për t'i studiuar shprehitë në të ushqyer te më shumë se 7.000 persona të rritur, për tri vjet me radhë. Me këtë rast është zbuluar se niveli i lartë i kalciumit në qumësht dhe jogurt ndihmon në metabolizimin e yndyrave dhe rritjen e sasisë së yndyrës që nxirret jashtë organizmit. Studimet paraprake kanë zbuluar lidhshmërinë midis konsumimit të produkteve të qumështit dhe dobësimit.

2) QULLI I TËRSHËRËS

Njerëzit me peshë ideale, për kafjall hanë qull të tërshërës, i cili është i pasur me fibra, meqë e dinë se ai e nxitë metabolizmin e tyre dhe i mbanë të ngopur deri në drekë. Një studim ka zbuluar se njerëzit që hanë më pak se 6 g fibra dietale në ditë, kishin shtuar 4 kg më shumë sesa ata që kishin konsumuar 11 g fibra të tilla gjatë periudhës prej 11 vitesh (një porcion i qullit të tërshërës, i kombinuar me një banane të vogël dhe me një grusht lajthish të grira, siguron 11 g të fibrave dietale).

3) AVOKADO

Një studim ka gjetur se njerëzit që hanë gjysmë avokadoje për drekë, rrinë të ngopur për një kohë më të gjatë, krahasuar me ata që nuk e konsumojnë këtë pemë. Yndyrat e shëndetshme, mono të pangopura e mbajnë nivelin e sheqerit stabil në gjak, gjë që ka rëndësi të madhe për ruajtjen e ndjenjës së ngopjes.

4) SPECAT DJEGËS

Shkencëtarët nga Universiteti "Purdue" kanë zbuluar se njerëzit që gjellëve të tyre ua shtojnë një spec djegës, ndjejnë një dëshirë më të vogël për të konsumuar ushqime të yndyrshme, të njelmët dhe të ëmbël. Studimet e tjera kanë treguar se kapsacina nga speci djegës e nxitë metabolizmin.

 

5) PEMËT ME GËZHOJË

Kur njerëzit me peshë ideale duan të konsumojnë diçka midis shujtave, ata konsumojnë pemë me gëzhojë. Një studim i ri britanik ka zbuluar se ata që konsumojnë rregullisht pemë me gëzhojë, janë shumë më të dobët për nga pesha, sesa ata që nuk konsumojnë pemë të tilla. Këto pemë janë të pasura me proteina dhe fibra dhe krijojnë ndjenjën e ngopjes. Hani bajame, fëstëkë dhe kikirikë, meqë këto pemë përmbajnë më së paku kalori dhe yndyra.

(Kosova Sot Online)