Si të pushoni pas punës me kompjuter?

  • 30 November 2019 - 10:12
Si të pushoni pas punës me kompjuter?

Studimet kanë treguar se deri në 80% të njerëzve që punojnë me kompjuter, kanë ndonjërin nga simptomat e lodhjes së syve. Pas pushimit, gjendja kthehet në normalitet. Problemi manifestohet me skuqje, djegie dhe tharje të syve, por këto simptoma mund të zbuten dhe të parandalohen. Preferohet që gjatë punës me kompjuter, çdo 30 minuta të ngriteni dhe të shikoni në largësi. Ja edhe disa këshilla të dobishme për pushimin e syve.

Rrotullimi - lart-majtas-djathtas, disa herë, e më pas në drejtimin e kundërt. Kujdes që të mos e lëvizni kokën, por vetëm sytë. Shikimi - rrotulloni sytë duke shikuar së pari këndin e skajshëm të majtë lart, e më pas këndin e skajshëm poshtë, e më pas atë poshtë djathtas dhe, në fund, majtas. Këtë ushtrim përsëriteni disa herë, e më pas në drejtim të kundërt.

As në këtë rast koka nuk duhet lëvizur. Rrahja e qerpikëve - gjatë punës me kompjuter, njerëzit rrahin qerpikët tri herë më rrallë sesa rëndom. Me rrahjen e qerpikëve vjen deri te sekretimi më i madh i lotëve, të cilët pengojnë tharjen e syve. Ndriçimi - në mënyrë që sytë të mos na lodhen shpejt gjatë punës me kompjuter, duhet ta kemi një ndriçim adekuat. Nuk duhet të përdorni llamba të neonit, e as dritë të tepërt, meqë më pas ajo reflektohet në ekran. E, sa i përket ekranit, ka filtra të veçantë, të cilët mund t'i përdorni për mbrojtjen e syve.

(Kosova Sot Online)