Mjekojeni bronkitin me ‘ilaçe’ nga kuzhina juaj

  • 30 November 2019 - 10:59
Mjekojeni bronkitin me ‘ilaçe’ nga kuzhina juaj

Bronkiti është një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes, e cila pengon qarkullimin adekuat të ajrit në mushkëri. Përpos ilaçeve, atë mund ta trajtoni edhe me disa gjësende ushqimore

MJALTI

Vetitë antivirale, por edhe antibakteriale të mjaltit janë shumë të dobishme për trajtimin e bronkitit. Mjalti ndihmon në qetësimin e fytit. Për më tepër, ai po ashtu e forcon edhe sistemin imunitar. Mjaltin mund ta përdorni në mënyra të ndryshme, si p.sh. duke e shtuar në çaj, në vend të sheqerit, pastaj duke përzier gjysmë luge mjaltë me pak biber të zi, xhenxhefil të freskët pluhur dhe me pak pluhur karafili, përzierja e cila ua largon dhembjen në formë të djegies. Për ta zvogëluar inflamacionin e fytit dhe ënjtjen e tij, shtoni disa pika limoni në ujë të vakët. Shtoni një lugë mjaltë në këtë përzierje dhe pijeni pasi që ta keni shpëlarë gojën dhe fytin me të. Për një qetësim të menjëhershëm të bronkitit, prejeni një qepë, qiteni në një enë dhe mbulojeni me mjaltë. Lëreni që të qëndrojë gjatë natës. Tani hiqni copat e qepës dhe mjaltin e mbetur konsumojeni nga një lugë katër herë në ditë.

UJI ME KRIPË

Uji me kripë ka aftësinë që të depërtojë nëpër sekretin, i cili shkakton irritim të membranave të ndjeshme të bronkeve. Ai po ashtu e qetëson edhe fytin e skuqur. Qitni pak kripë në ujë të nxehtë dhe përziejeni mirë e mirë. Tani bëni gargara me këtë ujë 3-4 herë në ditë. Duhet qitur sasinë adekuate të kripës. Kripa e tepërt do të shkaktojë djegie në fyt, derisa nëse qitni pak kripë, atëherë efekti i saj do të jetë i dobët.

XHENXHEFILI

Vetitë e dobishme imunitare, si dhe antiinflamatore të xhenxhefilit jo vetëm që ndihmojnë në trajtimin e të ftohtit, por edhe të bronkitit. Përgatiteni një përzierje duke shtuar një lugë gjelle me biber, pluhur xhenxhefili dhe karafili. Shtojeni një sasi të vogël të kësaj përzierjeje në qumësht, apo mjaltë dhe përdoreni atë tri herë në ditë. përgatiteni një pluhur nga xhenxhefili i bluar, karafili dhe kanella. Shtoni gjysmë luge të kësaj përzierjeje në një gotë me ujë të nxehtë. Pijeni atë ujë pasi që ta keni përzier mirë e mirë. Përdoreni këtë pije për disa ditë.

LËNGU I PORTOKALLIT

Portokalli është i pasur me vitaminë C, e cila është e rëndësishme për sistemin imunitar. Për trajtimin e bronkitit, lëngjet e pemëve janë ilaçi më i mirë, i bërë në shtëpi. Lëngu i portokallit jo vetëm që ofron materie ushqyese dhe vitamina, por po ashtu e zbut edhe fytin e inflamuar. Lëngu i portokallit po ashtu mund të përdoret edhe me bajame. Gjysmë luge bajame të freskëta, të imtësuara, shtohen në lëng të portokallit. Të pihet gjatë natës.

HUDHRA

Hudhra është njëri ndër "ilaçet" natyrore për trajtimin e bronkitit, falë vetive të saj antivirale dhe antibakteriale. Duhet të merrni tre thelpinj të freskët të hudhrës, i qëroni dhe i shtypni ata. Shtoni thelpinjtë e shtypur në një gotë me qumësht. Vlojeni qumështin dhe pijeni të ngrohtë atë, para se të bini në gjumë.

QEPA

Edhe qepa ka veti antivirale dhe antibakteriale, të cilat janë të dobishme për trajtimin e bronkitit. Mjafton që personi i prekur nga bronkiti ta marrë një lugë lëngu të qepës së freskët në bark të thatë, çdo mëngjes. Qepën mund ta përdorni edhe në sallatë, apo në gjellë të ndryshme.

(Kosova Sot Online)