Ushqimet, që parandalojnë dhe luftojnë kancerin

  • 21 December 2019 - 11:54
Ushqimet, që parandalojnë dhe luftojnë kancerin

Instituti nacional amerikan për kancer vlerëson se rreth një e treta e të gjitha llojeve të kancerit paraqiten në lidhje me të ushqyerit. Ka shumë ushqime, që mund ta parandalojnë, apo luftojnë kancerin.

AVOKADO

Është i pasur me glutation, një antioksidues të fuqishëm, i cili lufton radikalet e lira në organizëm. Avokado është po ashtu i pasur edhe me kalium dhe beta karotina. Shkencëtarët mendojnë se avokado është i dobishëm edhe për luftimin e hepatitit viral, i cili është njëri ndër shkaktarët e kancerit të mëlçisë.

FAMILJA E LAKRËS

Perimet e familjes së lakrës (brokoli, lakra, lulelakra), përmbajnë indol-3-karbinolin, një substancë e cila mund ta luftojë kancerin e gjirit, duke e shndërruar estrogjenin (i cili ndihmon paraqitjen e këtij kanceri) në forma të tjera, të cilat mbrojnë nga ky kancer. Këto perime përmbajnë edhe sulforafan, substancë e cila parandalon disa lloje të kancerit. Të njëjtin rol e kanë edhe indolet.

KAROTA

Karota është shumë e pasur me karotinë, e cila mund të ndihmojë në parandalimin e disa llojeve të kancerit, duke përfshirë edhe kancerin e mushkërive, gojës, fytit, lukthit, zorrëve, prostatës, gjirit. Mendohet se këtë rol parandalues të kancerit e ka substanca e quajtur falkarinol, e cila shkatërrohet kur karotat të trajtohen termikisht.

SPECAT DJEGËS

Përbërësi kryesor i tyre, kapsaicina neutralizon substancat kancerogjene, nitrozaminet. Këto substanca ndihmojnë edhe në parandalimin e kancerit të lukthit.

HUDHRA

Aliumi, substanca që gjendet në hudhër, e forcon imunitetin, respektivisht e rrit aktivitetin e qelizave në luftë kundër kancerit. Po ashtu, ajo ndihmon në ngadalësimin e zhvillimit të tumorit. Dialil sulfidi, një përbërës i vajit të hudhrës, i deaktivizon substancat kancerogjene në mëlçi. Hudhra, por edhe perimet e ngjashme me të, sikur që janë qepa, preshi, etj, parandalojnë kancerin e lukthit dhe zorrës së trashë.

PERIMET E GJELBRA ME FLETË

Studimet tregojnë se konsumimi i perimeve me fletë të gjelbra mund ta zvogëlojë rrezikun nga kanceri i lukthit. Spinaqi, për shembull, është burim i pasur i vitaminës C, beta karotinës, si dhe thartirës folike. Ata që konsumojnë spinaq dy a më shumë herë në javë, janë shumë më pak të rrezikuar nga kanceri i mushkërive dhe gjirit.

(Kosova Sot Online)