Dieta DASH shpallet më e mira

  • 21 January 2020 - 15:07
Dieta DASH shpallet më e mira

Dieta DASH, e pasur me perime, drithëra integrale dhe me produkte të qumështit pa yndyrë është shpallur më e mira nga të gjitha dietat për pesë vjet me radhë. Dieta DASH ishte sajuar me qëllim të uljes së shtypjes së lartë të gjakut pa ilaçe."Dieta DASH është dieta më e mirë e jonë, për të pestin vit me radhë", ka thënë Angela Haupt, redaktore e shëndetësisë dhe wellness-it në revistën amerikane "U.S. News & World Report".

"Ekspertët, të cilët i vlerësojnë dietat për ne, thonë se ajo është e mirë për linjën e trupit, krahas asaj që është e mirë edhe për shtypjen e gjakut, gjë që e bën atë të arsyeshme dhe të ekuilibruar", shton ajo në intervistë. Dieta TLC (Therapeutic Lifestyle Changes) e sajuar për zvogëlimin e përqendrimit të kolesterolit ka zënë vendin e dytë, e më pas vijnë dieta mesdhetare, ajo "Weight Watchers" dhe dieta "Mayo Clinic". "Weight Watchers" është vlerësuar tejet efikase për humbjen e kileve të tepërta, e më pas në këtë kategori vijnë dietat HMR (Healthy Management Resources), me pak kalori, dhe dietat e ngjashme. Në anën e kundërt të listës (dietat më pak të mira) gjendet dieta Paleo, e përqendruar te mishi, peshqit dhe perimet, por në vendin e fundit gjendet dieta e Dukanit.

(Kosova Sot Online)