Pijet energjetike për një ditë plot energji

  • 03 February 2020 - 14:18
Pijet energjetike për një ditë plot energji

Lëngjet e trasha, që përmbajnë pemë me gëzhojë, si dhe fara të ndryshme, do t'ua mbushin bateritë, duke e mbajtur organizmin tuaj të ngopur për një kohë të gjatë.

PIJET E SHPEJTA JANË IDEALE PËR KAFJALL, ZAMËR, APO EDHE PËR NDONJË SHUJTË TJETËR.

Sheqernat nga pemët apo mjalti ju mbajnë të ngopur për një kohë më të gjatë sesa kaloritë "boshe" nga sheqeri i rëndomtë. Mbretëresha e pemëve sa i përket ngritjes së nivelit të energjisë është banania, prandaj, përpos në mëngjes për kafjall, ajo është e mrekullueshme edhe si përbërës i lëngjeve të trashë (dendur), pas ushtrimeve trupore. Përziejeni me kakao pluhur, me gjalpë të kikirikëve, jogurt dhe kanellë. Në lëngjet e dendura mund të shtoni edhe pemë me gëzhojë. Para se t'i hidhni në bluarës elektrik, lini që të rrinë në ujë gjatë natës. Një shtesë e mrekullueshme për pijet e trasha janë edhe farat, sikur që është susami, farat e qimnonit, apo lulediellit.

PIJE E DENDUR ME PANXHAR

Përbërësit: një panxhar i vogël, një karotë, një mollë, gjysmë filxhani ujë, 2 rrepka, gjysmë luge fara të lulediellit, një lugë mjaltë Përgatitja: Qërojini dhe grini panxharin, karotat, mollën dhe rrepkat. Bluani ato dhe shtojeni ujin. Qitni farat e lulediellit dhe shtojeni mjaltin. Përzieni derisa të paraqitet shkuma.

BOMBA ENERGJETIKE ME KAROTË, MOLLË DHE PORTOKALL

Përbërësit: një karotë, selino, gjysmë speci të kuq, një portokall, rrënja e xhenxhefilit, një jogurt, një mollë. Përgatitja: Pastrojeni mollën, karotën dhe selinon e nga speci hiqni farat. Qërojeni portokallin dhe gërryejeni xhenxhefilin. Të gjitha grini imtë. Karotën, selinon, specin, portokallin, xhenxhefilin dhe mollën e grirë futni në bluarës, shtojeni jogurtin dhe përzieni mirë.

LËNG NGA MOLLA, KIVI DHE SPINAQI

Përbërësit: 2 mollë të gjelbra, një grusht spinaq, një kivi, gjysmë kastraveci, 2 lugë jogurt Përgatitja: Qëroni dhe grini mollët. Qëroni dhe grini kastravecin dhe kivin. Lajeni dhe grijeni spinaqin. Futini pemët, perimet dhe jogurtin në bluarës dhe bluani mirë e mirë.

(Kosova Sot Online)