5 ushqimet që ju mbrojnë prej sëmundjeve

  • 24 March 2020 - 14:02
5 ushqimet që ju mbrojnë prej sëmundjeve

Ushqimi i shëndetshëm është kyç për shëndetin, prandaj duhet ta përshtatni me stilin e jetës suaj dhe do të mbroheni nga sëmundjet e ndryshme, sidomos nga ato sezonale

FARAT ÇIA

Farat çia janë fryt i bimës nga familja e nenexhikut, e që vjen nga Meksiko. Trupin e furnizojnë me proteina, vitamina A, B, E dhe D, si dhe me mineralet kalcium, kalium, bakër, hekur, mangan dhe zink. Thënë më shqip, përmbajnë gjashtë herë më shumë kalcium sesa qumështi, 15 herë më shumë magnez sesa brokoli, tri herë më shumë hekur sesa spinaqi dhe dy herë më shumë kalium sesa bananet. Ngjasojnë me farat e lirit, e janë të pasura edhe me aminoacide omega 3 dhe proteina. Nutricistët sugjerojnë konsumimin e tyre për kafjall, së bashku me qumësht.

 

VEZËT

Sasia e sugjeruar për vezë në menynë tonë është gjashtë deri në tetë vezë brenda javës. Ekspertët pohojnë se një vezë përmban 77 kalori me gjashtë gramë proteina cilësore, pesë gramë yndyrë dhe karbohidrate. Në të kuqtë e vesë gjenden pothuajse të gjitha substancat ushqyese e në të bardhët e saj gjenden vetëm proteina. Ju mbajnë të ngopur më gjatë dhe janë të preferuara sidomos për kafjall.

SHEGA

Shega është njëri ndër desertët më të njohur dimëror. Është përplot me antioksidues, të cilët parandalojnë inflamacionet në trup. Pos frytit, po ashtu ekspertët e kanë vërtetuar se një gotë lëng nga ky fryt në ditë dhuron efekt të fortë me antioksidues. Forcon sistemin imun, enët e gjakut dhe zemrën, e po ashtu është vërtetuar se ul rrezikun nga disa lloje të kancerit.

KOSI

Edhe pse është e dobishme të hani edhe jogurt, disa ekspertë sidomos theksojnë efektin shërues të kosit, pasi që ndërtohet nga kultura të ndryshme. Në fakt, në kos nuk ka lëngje shtesë, prandaj përbërësit shërues janë më të përqendruar.

ÇAJI I GJELBËR

Çaji i gjelbër është shumë i shëndetshëm dhe i preferuar, sidomos si zëvendësim për kafenë, por edhe për shumë situata të tjera. Dihet se posedon një rol të fortë në ngadalësimin e përparimit të kancerit në prostatë, se në mënyrë aktive mbron nga gripi, pakëson stresin, ul kolesterolin dhe trupit i dhuron energji. Për më shumë, çaji i gjelbër është aleat i fortë në shkrirjen e dhjamit, përkatësisht humbjes në peshë.

(Kosova Sot Online)