Humbni pesë kilogramë për dy javë!

  • 06 May 2020 - 15:16
Humbni pesë kilogramë për dy javë!

Pasi që në Japoni doli libri rreth dietës me banane, filloi një konsumim i shtuar i kësaj peme P se është bërë kaq e popullarizuar kjo dietë? Japonezi me emrin Hitoshi Vatanabe thotë se, për të humbur në peshë, mjafton që, në vend të kafjallit të rëndomtë, të hani banane dhe të pini ujë të vakët. Hitoshi Vatanabe thotë se kombinimi i bananeve me ujë të temperaturës së dhomës çon deri te përshpejtimi i metabolizmit.

Ai shton se, për këtë shkak, personat që mbajnë këtë dietë për drekë dhe darkë mund të hanë çka të duan dhe përsëri do të humbin në peshë. Po ashtu, bananet gjysmë të pjekura përmbajnë të ashtuquajturin amidon rezistent, i cili na bën që të ndihemi të ngopur. Si rezultat i kësaj, procesi i djegies së dhjamit është edhe më intensiv, 30% më i shpejtë sesa me anë të metodave tradicionale.

Uji i temperaturës së dhomës e përmirëson tretjen dhe e zvogëlon ndjenjën e urisë. Pas shumë tentimeve të dështuara që të humbte peshë, Vatanabe kishte zbuluar këtë dietë, për të cilën ka shkruar edhe një libër. Ai ofron edhe të dhëna shkencore, të cilat ia ka dhënë gruaja e tij, Sumiko, e cila është farmaceute me profesion. Këta dy bashkëshortë kanë krijuar një dietë të cilën e kanë quajtur Dieta e mëngjesit me banane. Rregulla të veçanta nuk ka, vetëm që të hani derisa të ngopeni, natyrisht duke mos e tepruar. Japonezët bazohen te rregulli 80/20, d.m.th. tentojnë që, përafërsisht, ta mbushin vetëm 80% të lukthit me ushqim.

KAFJALLI

Më së miri është që, në mëngjes, në bark të thatë, ta pini një gotë uji të vakët, në mënyrë që ta nisni metabolizmin. Pritni gjysmë ore dhe më pas hajeni një banane. Nëse edhe pas 20 minutash ndjeni ende uri, atëherë hajeni edhe një banane tjetër. Bananet duhet të jenë të freskëta, por gjysmë të pjekura. Pini sa më shumë ujë.

DREKA DHE DARKA

Të gjitha shujtat e tjera janë të rëndomta. Megjithatë, preferohet që t'u përmbaheni disa rregullave, të cilat do t'ju ndihmojnë në humbjen e kileve të tepërta: - Kurrë mos hani derisa të ngopeni. Gjithmonë zgjohuni nga tryeza me ndjenjën se përafërsisht një të pestën e lukthit e keni të zbrazët. - Darkoni më së largu deri në orën 20:00, ku koha optimale është rreth orës 18:00. Nëse pas darkës përsëri ndjeni uri, atëherë hajeni ndonjë pemë, apo djathë a jogurt pa yndyrë. - Gjatë drekës dhe darkës përjashtoni desertet nga menyja. Nëse doni të hani diçka të ëmbël, atëherë hajeni një pemë. - Pini sa më shumë ujë. Më së miri është që të pini ujë të temperaturës së dhomës, me gllënjka të vogla. Mos pini ujë deri 30 minuta pas ushqimit. - Midis shujtave mund të pini çaj, kafe, apo lëngje të freskëta.

(Kosova Sot Online)