Rregullat më të rëndësishme për ruajtje të shëndetit të dhëmbëve

  • 22 May 2020 - 15:05
Rregullat më të rëndësishme për ruajtje të shëndetit të dhëmbëve

Thuhet se buzëqeshja është distanca më e shkurtër mes dy njerëzve, ndërsa stomatologjia ka për qëllim që t'ju dhurojë dhëmbë të shëndetshëm dhe të shkëlqyer. Këtë mund ta arrini lehtë me ndihmën e këtyre rregullave.

1. HIGJIENA PERSONALE Përdorimi i brushës dhe pastës për dhëmbë më së shpeshti është edhe mënyra më e zakonshme për mirëmbajtje, sepse me brushë mënjanohen të gjitha shtresat nga dhëmbët, mishi i tyre dhe gjuha, që kontribuon në pastërtinë dhe freskinë e gojës. Dhëmbët dhe gojën duhet pastruar gjithsesi dy herë në ditë, në mëngjes para kafjallit dhe në mbrëmje para fjetjes.

2. BRUSHAT PËR DHËMBË Brushat për dhëmbë dallojnë nga madhësia (të vogla, të mesme, të mëdha) dhe nga fortësia (të buta, të mesme dhe të forta) si dhe nga materiali nga i cili bëhen, e që mund të jetë artificial ose natyral. Sot, përveç atyre standarde, ekzistojnë edhe brusha elektrike për dhëmbë të cilat janë treguar më efikase në mënjanimin e shtresave nga dhëmbët. Në treg ka edhe brusha të veçanta për pastrim të vendeve me qasje të vështirë në gojë.

3. TË USHQYERIT E DUHUR Në të ushqyerit e përditshëm në organizëm përfundon ushqimi me përmbajtje të ndryshme dhe në sasi të ndryshme. Për shëndet të dhëmbëve, por edhe për shëndet të përgjithshëm, duhet pasur kujdes dhe të konsumohet sa më shumë ushqim i papërpunuar, siç janë pemët dhe perimet. Është shumë me rëndësi, që para fjetjes, e pas pastrimit të dhëmbëve, të mos konsumohet ushqim sepse nata është një periudhë kur në gojë janë kushtet më të mira për krijim të kariesit.

4. LIKUIDI PËR SHPËLARJE TË GOJËS Një pjesë e mirë e shëndetit oral mund të thuhet se vjen nga përdorimi i likuidit për shpëlarje të gojës. Këto likuide më së shpeshti përmbajnë kloreksidin ose fluor dhe përdoren vetëm sipas udhëzimit të prodhuesit ose nën kontrollin e stomatologut.

5. PASTAT PËR DHËMBË Shumica e pastave për dhëmbë që përdoren për çdo ditë kanë të gjithë përbërësit e nevojshëm që kontribuojnë në përdorim kualitativ. Përbërësi bazë dhe më i rëndësishëm i pastave për dhëmbë është fluori, i cili gjendet në formë të natrium fluorit ose monofluorfosfatit, ndërsa kanë edhe abrazivë, ëmbëltues.

6. KONTROLLIMET E RREGULLTA TE STOMATOLOGU Për shëndet oral të secilit individ kujdesen stomatologët të cilët përcjellin gjendjen në gojët e pacientëve gjatë kontrollimeve të rregullta gjashtëmujore, dhe, duke u varur nga nevojat, japin këshillat e duhura për aplikim të metodës së përshtatshme terapeutike, e tërë kjo në qëllim të mbajtjes së një gjendjeje të mirë në gojë.

7. PERI PËR DHËMBË Peri për dhëmbë është një pjesë e rëndësishme e higjienës orale sepse me përdorim të rregullt të tij bëhet parandalimi i sëmundjeve të dhëmbëve dhe mishit të tyre. Veçanërisht efikas është në pastrimin e hapësirës mes dy dhëmbëve, përkatësisht vendeve në të cilat një brushë standarde për dhëmbë nuk mund të depërtojë.

(Kosova Sot Online)