Qeveria amerikane ia ofron 1.6 miliard dollarë një kompanie për vaksinën kundër Covid-19

  • A.P /
  • 07 July 2020 - 15:22
Qeveria amerikane ia ofron 1.6 miliard dollarë një kompanie për vaksinën kundër Covid-19

Programi i qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara ia ka ofruar një kontratë me vlerë prej 1.6 miliard dollarësh kompanisë “Novavax” për zbulimin e mundshëm dhe prodhimin e miliona dozave të një vaksine kundër koronavirusit.

“Kjo tregon për besimin që ata kanë në aftësinë e platformës sonë për zhvillimin e një vaksine”, tha në një intervistë për televizionin CNN shefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Stanley Erck.

“Novavax” është kompania e katërt që ka marrë fonde nga shteti për të kryer testime klinike të fazës së tretë dhe për prodhimin e një vaksine të mundshme kundër sëmundjes Covid-19, shkruan “CNN”, 

Në maj, qeveria amerikane ia ofroi 1.2 miliard dollarë gjigantit farmaceutik “AstraZeneca” për zhvillimin e një vaksine kundër virusit të ri. Dy kompanitë e tjera që morën fonde janë “Moderna” dhe “Johnson & Johnson”.

Faza e parë e testimit klinik nga kompania “Novavax” në 131 subjekte studimi pritet të përmbyllet në fund të këtij muaji, bëri të ditur shefi ekzekutiv i saj.

Fondet e ndara për kompaninë “Novavax” do t’ia mundësojnë asaj shtimin e prodhimit në rast të miratimit të vaksinës, ndërsa synimi është që të prodhohen 100 milionë doza deri në shkurt të vitit të ardhshëm.

(Kosova Sot Online)