Ndikimi i dëmshëm i kafes së mbrëmjes

  • E.K /
  • 24 July 2020 - 11:08
Ndikimi i dëmshëm i kafes së mbrëmjes

Dihet mirë se konsumimi i kafes në mbrëmje mund të të lërë pa gjumë, por shkencëtarët nga Laboratori i Këshillit kërkimor mjekësor për biologji molekulare në Britani dhe ata nga Universiteti i Kolorados kanë bërë një zbulim i cili mund të sqarojë sesi konsumimi i kafeinës ndikon në "orën biologjike" të organizmit tonë. Ora biologjike, apo ritmi cirkadian, operon në çdo qelizë të organizmit, duke i ndezur dhe fikur gjenet në kohë të ndryshme, gjë që na e mundëson adaptimin në ciklin e jashtëm të ditës dhe natës.

Hormoni melatoninë, i cili i bën njerëzit të jenë të përgjumur, lirohet si rezultat i disa faktorëve, sikur që është dobësimi i dritës. Prishja e këtij ritmi për shkak të punës gjatë natës, udhëtimit në zona të ndryshme kohore, apo pagjumësisë, mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme, si sëmundjet e zemrës, diabetin, sëmundjen e Alzheimerit, etj. Tani del se konsumimi i sasisë së kafes, ekuivalente me një espresso të dyfishtë, 3 orë para rënies në shtrat, mund ta kthejë orën biologjike një orë prapa, duke penguar rritjen e nivelit të hormonit melatoninë.

(Kosova Sot Online)