Ftohja dhe gripi te fëmijët e rrisin rrezikun nga pika në tru

  • E.K /
  • 06 August 2020 - 10:18
Ftohja dhe gripi te fëmijët e rrisin rrezikun nga pika në tru

Një studim i ri i publikuar në revistën "Neurology" sugjeron se infeksionet e vogla, duke përfshirë edhe ftohjen dhe gripin, mund ta rrisin përkohësisht rrezikun nga infarkti në tru te fëmijët. Por, autori i studimit, Dr. Heather J. Fullerton, nga Universiteti i Kalifornisë-San Francisko (UCSF), respektivisht nga spitali i fëmijëve "Benioff", bashkë me kolegët, ka vërejtur se ky rrezik është i vogël dhe se vaksinimet rutinore mund ta ofrojnë njëfarë mbrojtjeje nga pika në tru.

Derisa pika (infarkti) në tru zakonisht paraqitet te të rriturit, ajo prekë rreth 11 në 100,000 fëmijë amerikanë çdo vit. Faktorët më të shpeshtë të rrezikut për paraqitjen e pikës në tru te fëmijët përfshijnë defektet e lindura të zemrës, sëmundjet e arterieve, çrregullimet imunitare, si dhe traumat e kokës, apo qafës. Studimi i ri tregoi se, krahasuar me fëmijët që nuk kishin pasur infarkt të trurit, ata që kishin përjetuar një gjë të tillë kishin rreth gjashtë herë më shumë gjasa që të kishin pasur ndonjë infeksion gjatë javës së kaluar.

(Kosova Sot Online)