Studim: Maskat e zvogëlojnë ashpërsinë e simptomave të koronavirusit

  • E.K /
  • 10 August 2020 - 11:52
Studim: Maskat e zvogëlojnë ashpërsinë e simptomave të koronavirusit

Shkencëtarët kanë zbuluar se përdorimi i maskave mund të ndikojë që personat që i mbajnë ato të mos sëmuren rëndë nga Covid-19 përmes zbogëlimit të sasisë së virusit në trup.

Kjo do të thotë se maskat jo vetëm që i mbrojnë të tjerët, por edhe nëse një person që ka përdorur maskë infektohet, ai ose ajo do të ketë simptoma më të lehta të sëmundjes, thonë shkencëtarët.

Monica Gandhi, mjeke e sëmundjeve ngjitëse në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko, thotë se njerëzit që përdorin maska marrin më pak grimca të koronavirusit, duke ia lehtësuar sistemit imunitar përballjen me infeksionin, shkruan Independent.

Deri më tani, kjo teori vetëm është përmendur, por nuk është vërtetuar. Hulumtuesit vlerësuan se rreth 40 për qind e personave të infektuar me koronavirus nuk shfaqin fare simptoma. Por kur njerëzit vendosin maska, përqindja e rasteve pa simptoma duket se rritet shumë, duke e kaluar nivelin prej 90 për qind në një vatër të përhapjes në Oregon.

Ekspertët thonë se rezultatet e hulumtimit të tyre sugjerojnë se maskat janë edhe më të rëndësishme sesa është menduar më parë për shkak se ato e zvogëlojnë sasinë virale, që është sasia që e prek fytyrën, dhe ngarkesën virale, që është sasia e infeksionit në trup.

Roli i maskave në zvogëlimin e përhapjes së virusit e kanë përmendur edhe shkencëtarët e tjerë përmes hulumtimeve të mëparshme.

Dr. Gandhi, punimi i së cilës do të publikohet në revistën “Journal of General Internal Medicine”, tha se të dhënat nga anijet ofrojnë dëshmi shtesë për rolin e maskave.

Mbi 80 për qind e personave të infektuar në anijen “Diamond Princess” në shkurt, kur maskat nuk përdoreshin ende, kishin pasur simptoma të koronavirusit.

Sidoqoftë, në një anije tjetër që u nis nga Argjentina në mars, ku të gjithë pasagjerët ishin të pajisur me maska pasi një person ishte diagnostikuar me koronavirus, niveli i rasteve me simptoma ishte nën 20 për qind.

(Kosova Sot Online)