Bota do të ketë një tjetër vaksinë! Mutacionet e reja detyrojnë shkencëtarët të marrin masa

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 10:05
Bota do të ketë një tjetër vaksinë! Mutacionet e reja detyrojnë shkencëtarët të marrin masa

Një vaksinë e re Covid-i në vjeshtë! Ky është lajmi më i fundit, i konfirmuar nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca, të cilët deklarojnë se po planifikohet nxjerrja në treg pas disa muajsh, e një lloji të ri vaksine, që do të trajtojë variantet më të fundit të koronavirusit. Përherë e më shumë, studimet shkencore kanë vënë re se një mutacion i gjetur si fillim në Afrikën e Jugut, por që tanimë po gjen shtrirje edhe më gjerë, mund të reduktojë funksionimin e vaksinave.

Për këtë arsye, specialistët shprehen se po punojnë për të përmirësuar përbërjen e tyre, në mënyrë që të mundësojnë mbrojtjen maksimale ndaj llojeve të reja të Covid-it. Skuadra Oxford/AstraZeneca, realizuese e një prej vaksinave më të avancuara shprehet se vaksina e re do të jetë gati nga fundi i këtij viti.

Profesor Andrew Pollard, i cili po udhëheq studimet në fjalë tha se procesi i krijimit të vaksinës së re do të jetë i shkurtër, krahasuar me bërjen e vaksinës origjinale nga e para. Ky “përditësim” i vaksinës, nëse mund të shprehemi kështu do të përdoret ose si përforcues për njerëzit që kanë bërë tashmë një vaksinë tjetër ose mund të përdoret më vete për ata që janë ende të pavaksinuar. Dr. Andrew Pollard , një nga studiuesit kryesorë të Oxford-it tha se ai është i bindur që vaksina e ardhshme do t’i mbrojë njerëzit, të cilët infektohen me mutacionet e virusit. Po kështu, ai pranoi se lloji i Afrikës së Jugut do të ketë një ndikim të madh në reagimin imunitar nga të gjitha vaksinat.

(Kosova Sot Online)