Nuk funksionon ligji!

  • 11 October 2017 - 09:16
Nuk funksionon ligji!

DONATORËT PO IKIN NGA SPORTI

Klubet e kanë vështirë edhe të mbijetojnë

Donatorët nga sporti i Kosovës po largohen dhe gjendja është alarmante, derisa Ligji për Sponsorizim dhe Donacione, edhe pse është miratuar, nuk po funksionon. Analistët shprehen se pa funksionuar ligji është e kotë, dhe klubet jo vetëm që do të kenë probleme financiare, por do të kenë vështirë edhe të mbijetojnë


Sporti i Kosovës vazhdon të ballafaqohet me shumë probleme. Klubet po kanë vështirësi si të funksionojnë, madje shumë prej tyre janë në prag të shuarjes. Stafi dhe lojtarët në shumë klube punojnë pa u paguar, derisa ende nuk është gjendur zgjidhje afatgjate. Ligji për Sponsorizime dhe Donacione, edhe pse është miratuar nga Qeveria e Kosovës në vitin e kaluar, nuk po funksionon. Si pasojë e kësaj, dona torët po largohen dhe klubet po përballen me telashe financiare. Kriza ka kapluar basketbollin, hendbollin, volejbollin, por edhe sportet e tjera.

Ligji mbeti në letër 

Sipas ligjit, sponsorët e skuadrave do të kenë lehtësira më të mëdha fiskale, pasi nëse një biznes investon rreth 20 % të fitimit bruto ka të drejtë të mos paguajë taksë për këtë vlerë. "Ky ligj ka për qëllim që të rregullojë kushtet, përkrahjen dhe mbështetjen financiare dhe përcakton përfitimet për sponsorët dhe donatorët që financojnë aktivitetet në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit. Me këtë akt ligjor, për herë të parë vihen bazat juridike për trajtimin, rregullimin dhe njohjen e sponsorizimeve dhe të donacioneve për të krijuar kushte më të mira për fushat e lartpërmendura. Ligji për Sponosorizime do të rregullojë marrëdhëniet, kushtet dhe nivelin e lehtësirave financiare për personat fizikë dhe juridikë, të cilët me vullnet të lirë sponsorizojnë apo bëhen donatorë të këtyre fushave me interes të veçantë publik", ishte njoftimi i Ministrisë së Sportit kohë më parë. Por, ky ligj ka mbetur vetëm në letër dhe nuk po funksionon. Kjo ka bërë që sportistët në Kosovë të ballafaqohen me shumë probleme, madje nuk mungojnë edhe bojkotet, sepse lojtarët nuk dëshirojnë të luajnë pa para.

Gjendja vetëm sa po rëndohet 

Trajneri i hendbollit, Ismet Jupa është shprehur se sikur të funksiononte ky ligj, sigurisht se gjendja do të ishte ndryshe në sportin e Kosovës. "Pa funksionuar Ligji për Sport është e kot. Klubet dhe sportistët do të ballafaqohen me probleme. Ky ligj nuk është shkop magjik, megjithatë do të rregullonte shumë gjëra. Donatorët nuk do të largoheshin nga sporti i Kosovës. Do të zgjidhej statuti i klubeve dhe lojtarët nuk do të mbetnin në mëshirën e fatit. Ata do të kishin të rregulluar statusin dhe do të mbroheshin të drejtat e tyre. Besoj se shumë gjëra do të rregulloheshin", është shprehur Ismet Jupa për gazetën "Kosova Sot". Njëri nga klubet që po përballet me probleme financiare është Trepça në hendboll te meshkujt. Trajneri i kësaj skuadre, Taib Kabashi ka thënë se nuk kanë sponsorë për t'i mbuluar shpenzimet. "Vitin e kaluar kemi qenë në gjendje më të mirë, por jo këtë edicion. Ne nuk kemi sponsorë gjeneralë dhe disa nga lojtarët nuk kanë dashur të vijnë në stërvitje dhe në ndeshje. I kuptoj plotësisht, por fatkeqësisht jemi në këtë gjendje. Sponsorët po largohen nga sporti i Kosovës. Kjo situatë nuk ndodh vetëm në klubin tonë, por edhe në klubet tjera. Jemi në një gjendje shumë të vështirë, sepse Ligji për Donacione nuk po funksionon", ka thënë Taib Kabashi për gazetën "Kosova Sot". Edhe ish-basketbollisti i njohur Valentin Spaqi ka theksuar se donatorët pa pasur përfitime nuk investojnë. "Ligji duhet patjetër të funksionojë. Donatorët kanë dhënë shumë, sidomos në basketbollin e Kosovës, por nuk kanë përfituar asgjë. Kjo duhet të ndryshojë. Duhet që ata të përfitojnë, në të kundërtën do të jetë e kotë, dhe gjendja vetëm sa do të rëndohet", është shprehur Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)