Mendja te superpërballja TREPÇA'89 - PRISHTINA

  • 14 October 2017 - 10:51
Mendja te superpërballja TREPÇA'89 - PRISHTINA

SOT E NESËR ZHVILLOHET JAVA E 10-TË E VALA SUPERLIGËS SË KOSOVËS NË FUTBOLL

Një ndeshje shumë e fortë pritet edhe në Drenas

Pamjet aspak të mira që ofroi fundi i ndeshjes Prishtina - Vëllaznimi, ka bërë që xhiroja e 10-të e Vala Superligës, e cila zhvillohet këtë vikend të pritet me kërshëri, por edhe me frikë se mund të sjellë ndonjë skenë që do ta prishte imazhin e futbollit


Futbolli i Kosovës vazhdon të sjellë lloj-lloj skenash të cilat nganjëherë edhe po e bëjnë të duket i shëmtuar. Pa dyshim hije të keqe javës së kaluar i qitën minutat e fundit të ndeshjes Prishtina - Vëllaznimi, ku trajneri i gjakovarëve, Ismet Munishi, nuk kurseu asnjë fjalë për ta shfryer gjithë mllefin në adresë të gjyqtarëve. Edhe pse Munishi kishte të drejtë në atë që protestonte, reagimi dhe mënyra e protestës e tejkalonin çdo kufi dhe nuk kishte të bënte asgjë me sportivitetin. Kjo sikur dha një sinjal se tashmë kampionati, edhe pse është vetëm në javën e 9-të, ka hyrë në një fazë shumë të nxehtë. Kjo ka bërë që xhiroja e 10- të, e cila zhvillohet këtë vikend të pritet me kërshëri, por edhe me frikë se mund të sjellë ndonjë skenë që do ta prishte imazhin në arenën ndërkombëtare. Gjithsesi, lojtarët, klubet, gjyqtarët e mbi të gjitha vetë

FFK-ja, thonë se janë të gatshëm të përballojnë çdo sfidë vetëm e vetëm që gjithçka të jetë në rregull.
Përqendrimi në Mitrovicë

Pa dyshim ndeshja kryesore e kësaj jave është ajo në Mitrovicë, ku ndeshen rivalët e vjetër, Trepça'89 e Prishtina. Të dyja skuadrat në fillim të këtij kampionati kishin jostabilitet në lojërat e tyre, megjithatë duket se së fundmi gjithçka ka rënë në binarë dhe se si Trepça'89 si Prishtina janë të gatshme të luftojnë vetëm për fitore. Kampioni aktual, Trepça'89, pas fitores bindëse në mesjavë ndaj Besës, është afruar në vetëm një pikë te vendi i parë dhe kjo bën të besohet fuqishëm se mitrovicasit edhe në përballje me Prishtinën do të kërkojnë vetëm tri pikë në mënyrë që të konfirmohen se është ajo skuadra e edicionit të kaluar kur pothuajse nuk kishte rivalë. Në anën tjetër Prishtina, pas fitores së zorshme ndaj Vëllaznimit, sikur e ka tejkaluar ngërçin që kishte në tri ndeshjet e mëparshme dhe se në stadiumin "Riza Lushta" udhëton me synime për të marrë pikë të plota dhe në këtë mënyrë të heq çdo dilemë për ndonjë krizë të rezultateve. Ndeshja Trepça'89 - Prishtina zhvillohet ditën e diel. Po këtë ditë adhuruesit e futbollit do të kenë rastin të ndjekin një tjetër ndeshje të fortë, atë ndërmjet Vëllanzimit dhe Dritës. Skuadra gjilanase ka hyrë në seri të mirë dhe këtë sukses kërkon ta vazhdojë edhe ndaj Vëllaznimit, skuadër kjo që deri tash është treguar arrë e pakaluar në Gjakovë.

Feronikeli e Liria, në ndjekje të kreut

Derisa e diela mbetet një ditë më e ngarkuar sa i përket Superligës, gjithsesi edhe dita e shtunë sjellë dy ndeshje joshëse. Lideri i tabelës, Llapi vlerësohet të ketë punë të lehtë ku ndeshet me Flamurtarin skuadër kjo që ende nuk e ka kapur ritmin e dëshiruar. Një sfidë që mund të përcaktojë fatin e skuadrave është ajo në Drenas ku ndeshen Feronikeli e Liria. Të dyja ekipet ende nuk po tregohen stabile, kështu që nëse dëshirojnë ta mbajnë ritmin me ekipet që po luftojnë për kreun e tabelës medoemos duhet të fitojnë, ndryshe diferenca e pikëve vetëm sa do të rritet dhe kjo do ta vështirësonte maksimalisht punën në vazhdim të garave. Sfida e fundit e kësaj jave është ajo në Gjilan ku ndeshen Gjilani e Drenica, dy ekipe këto që zhvillojnë një futboll të bukur dhe me të drejtë pritet një ndeshje e fortë dhe e paparashikuar.

(Kosova Sot)