Gjasat e Prishtinës

  • 15 October 2017 - 10:31
Gjasat e Prishtinës

E treta e vërteta. Kjo është shpresa e bardhekaltërve për grupet e FIBA Europe Cup. Kampionia e Kosovës, Sigal Prishtina ka mësuar të gjithë kundërshtarët e saj në grupe, dhe nuk do të ketë aspak lehtë. Kryeqytetasit morën pjesë edhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por u mposhtën në dy sfidat nga Tsmoki Minsk, 50:57 në kryeqytet, si dhe 89:74 në Bjellorusi, duke u eliminuar qysh në fazën e parë. Kryeqytetasit kanë bërë disa përforcime dhe shpresojnë se do të kenë suksese në këtë garë, që është mjaft e rëndësishme.

Përqendrohen në FIBA Europe Cup

Bardhekaltrit dy herë kanë fituar Ligën Ballkanike, por këtë edicion janë tërhequr, kurse gara e vetme ndërkombëtare tani është FIBA Europe Cup, ku po paraqitet për herë të tretë. Prishtina për herë të parë kishte marrë pjesë në edicionin 2015- 16, ku në grupe kishte dy fitore dhe katër humbje, derisa edicionin e kaluar kishte një fitore dhe pesë humbje. Sigal Prishtina do të jetë në Grupin B së bashku me Belfius MonsHainaut, Demir Insaat, dhe BC Khimik nga Ukraina. BC Khimik është dy herë kampion dhe një herë fitues i Kupës së Ukrainës. Ndeshja e parë e Prishtinës në Grupin G, do të jetë më 18 tetor në Mons të Belgjikës kundër skuadrës nga ky qytet BelfiusMons Hainaut, kurse takimi i radhës do të zhvillohet të mërkurën më 25 tetor në Prishtinë kundër Khimik. FIBA Europe Cup do të jetë përqendrimi i prishtinasve, pasi në garat vendore nuk po kanë konkurrencë, sepse skuadrat tjera janë më të dobë- ta dhe nuk po arrijnë t'i bëjnë ballë. Kryeqytetasit shihen si super favoritë, si për titullin e Kosovës, ashtu edhe për Kupë, dy trofetë në basketbollin e Kosovës

Ekipi është komponuar, pritet paraqitje më e mirë

Ish-basketbollisti i Sigal Prishtinës, Valentin Spaqi thotë se prishtinasit kanë më shumë gjasa në këtë ligë, se sa që kishin në atë të Ligës së Kampionëve. "Në krahasim me Ligën e Kampionëve, tashmë Prishtina është në një situatë më të favorshme sepse bëhet gati një muaj nga adaptimi i lojtarëve në mes vete. Faktor tjetër është se në FIBA Europe Cup garojnë ekipet që janë në një nivel më poshtë se Liga e Kampionëve. Prandaj unë mendoj se Prishtina do të jetë për 30-40 % më e mirë se ajo që e kemi parë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Shpresoj se në këtë ligë do të jetë më e suksesshme", ka thënë Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Siç dihet, Dardan Berisha dhe Alban Veseli janë rikthyer në Prishtinë, kurse janë përforcuar me Lis Shoshin, dhe tre basketbollistë të huaj, kurse është kthyer si 'timonier' edhe Ahmet Kandemir. Bardhekaltrit ishin skuadra e parë nga Kosova që mori pjesë në këtë garë, derisa gjithashtu është skuadra e vetme kosovare që fitoi Ligën Ballkanike, madje këtë e arriti dy herë radhazi. Këtë edicion, Bashkimi është skuadra e vetme kosovare në Ligën Ballkanike, ku prizrenasit javën e ardhshme do të fillojnë garat.

(Kosova Sot)